Qeveria e Kosovës njoftoi sot se ia ka ndarë 17.5 milionë euro KOSTT-it për borxhin ndaj Rrjetit Evropian. Sipas ish-kryeministrit Avdullah Hoti, këto para janë ndarë për borxhin e furnizimit të komunave veriore me rrymë. Dhe, sic shton ai, janë para të projekteve kapitale që Qeveria nuk i ka realizuar.
“Qeveria sot ka ndarë 17.5 mil euro për borxhin e KOSTT-it ndaj Rrjetit Evropian për furnizimin e komunave në veri. Vite me radhë shanin për të njëjtën gjë. Për dijeni, këto mjete janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar”, ka shkruar Hoti.
Tutje, Hoti ka rikujtuar vendimet e pushtetit për shtyrje të zgjedhjeve që kanë pasur të mbahen në katër komunat me shumicë serbe në veri, për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale dhe për lirimin në arrest shtëpiak të Dejan Pantiqit, që akuzohet për organizim të sulmit terrorist ndaj zyrtarëve të shtetit.
“Zgjedhjet në veri i shtynë për prill, vendimin për tabela e shtynë pa afat, të arrestuarin për terrorizëm e liruan”.
“Tani, para se të nisin festën e vitit të ri, ua paguajnë edhe rrymën atyre që vendosën barrikadat. Kjo është qeverisje se jo mahi!”, thuhet në postimin e Hotit.