Projektligji për Zyrtarët Publikë, i cili pritet të dalë para Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte sipas deputetit të LDK-së Avdullah Hoti, ka shumë të meta.
“Projektligji PËR zyrtarët publikë” është në fakt “Projektligj KUNDËR zyrtarëve publikë”, ka shkruar Hoti.
Ai i ka renditur pesë arsyet se pse sipas tij, ai Projektligj nuk duhet të votohet në Kuvend për shkak të mangësive që i ka.
Arsyeja e parë sipas Hotit, është se nuk respektohet parimi bazë për meritokraci.
“Projektligji e dëmton parimin bazë të shërbimit civil të bazuar në merita, që është i aftë për të tërhequr dhe mbajtur profesionistët. Kjo për shkak se: (I) shtohet ndikimi politik në rekrutim, transferim dhe ngritje në detyrë, si dhe (II) ndryshohet sistemi i karrierës përmes futjes së mandateve dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat drejtuese. Mandati katër vjeçar mund të përkojnë me mandatin e një qeverie, e cila gjë e lë administratën të cenueshme ndaj ndikimeve politike”, ka thënë ai.
E dyta sipas tij është se shkelet ligji.
“2. Një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, drejtuesit me kontrata të përhershme i nënshtrohen konkursit. Kjo bie ndesh me parimin e “të drejtave ligjore të fituara”, siç përcaktohet me ligjin në fuqi dhe me praktikën gjyqësore ndërkombëtare të shërbimit civil, ku rregullat nuk duhet të ndryshohen në dëm të personelit në detyrë”, ka thënë ai.
Arsyeja e tretë sipas Hotit është se “Transferimi i përkohshëm i shërbyesit civil është në diskrecionin e drejtuesit të lartë të institucionit dhe mund të bëhet pa pëlqimin e zyrtarit. Kjo e hap mundësinë e keqpërdorimit të ligjit për interesa politike e personale dhe e rrit ekspozimin e shërbimit civil ndaj politikës”.
E katërta sipas Hotit, është se paqartësia e projektligjit.
“Procedurat disiplinore nuk kanë siguri dhe proporcionalitet, si dhe nuk dihet se si do të bëhet individualizimi i masave disiplinore për çdo shkelje”, ka deklaruar Hoti.
E pesta sipas deputetit të LDK-së është moskoordinimi i Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Sipas nenit 120 të MSA-së, Qeveria e Kosovës është e obliguar të koordinohet me BE-në në reformën e administratës publike, përfshirë projektligjin për zyrtarët publik dhe projektligjin për pagat. Është e qartë sipas letrave zyrtare të BE-së se nuk ka koordinim për versionet aktuale për të dyja këto projektligje”, ka theksuar Hoti.