KESH siguron 25 milionë euro nga shitja e energjisë – Shirat sjellin përmirësimin e situatës në hidrocentralet e Shqipërisë

Kaskada e lumit Drin

Përgjatë 1 muaji, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka realizuar një sërë procedurash për shitjen e energjisë elektrike, si pasojë e përmirësimit të situatës hidrike në Kaskadën e Lumit Drin.

Sipas përllogaritjeve të TV SCAN, në total janë rreth 25 mln euro të ardhura të gjeneruara, duke ndikuar në zbutjen e kostos së krijuar nga blerja e energjisë më herët gjatë vitit.

Shuma më e madhe është siguruar përmes një procedure të realizuar në datën 17 dhjetor, ku në total u shitën 48 mijë mWh energji, me një çmim mesatar prej 167.62 euro/mWh. Ndërkaq, në të gjitha procedurat e realizuara, çmimi me të cilin është shitur energjia është ndjeshëm më i ulët se në bursën e Hungarisë, që shërben si referencë për transaksione në Shqipëri.

Reklama e sponzorizuar

Teksa në tenderin e fundit, KESH ka shitur energjinë me 83.58 euro/mWh, ndonëse çmimi në bursë në të njëtën datë arriti mesatarisht në 262 euro/mWh. Gjithsesi, teksa nga shitja e energjisë janë gjeneruar të ardhura për kompaninë publike të prodhimit të energjisë, ndryshe kanë rezultuar procedurat e depozitimit.

Kjo pasi, të paktën në 2 prej tyre nuk ëstë shprehur asnjë interes, ndonëse sasia që KESH kërkonte të depozitonte ishte e konsiderueshme. Vetëm një prej tyre arriti të mbyllje me sukses e si rezultat KESH do të mund të marrë të njëjtën sasi energjie vitin që vjen.  Përmirësimi I stuatës hidrike ishte një nga shkaqet që sipas qeverisë çoi edhe në mos aplikimin e tarifimit me 2 fasha për konsumatorët familjarë. /Scan tv/