Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvendin e Kosovës vendimin për shpalljen e kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C” – Investitor Strategjik i Kosovës.
Vendimi është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për konfirmimin e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për t’i proceduar Kuvendit të Kosovës të vendimin e Qeverisë Nr. 13/50 të datës 21 dhjetor 2020 për dhënien e Statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’”, thuhej në propozim-vendimin e qeverisë.
Propozimi është miratuar me shumicë të votave në mbledhjen e qeverisë.
Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.
Propozimi për shpalljen e kësaj kompanie “investitore strategjike” ishte realizuar për herë të parë në vitin 2020 nga Qeveria Haradinaj.