Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deri në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ose nëntëmujorit të 2022-tës, borxhi publik i Kosovës është saktësisht 1, 691, 83 miliardë euro, ose 20,48 për qind të BPV-së. Sivjet, në nëntëmujor pra, borxhi publik, krahasuar me vitin 2021 nuk ka shënuar fare rritje. Për më tepër, sipas ASK-së, ky borxh ka shënuar një ulje fare të vogël ose ta quajmë simbolike fare. Sepse, më 2021, Kosova kishte borxh të përgjithshëm prej gjithsej 1, 682, 89 miliardë euro, respektivisht 21,53 për qind të BPV-së.
Buletini Ekonomik
Borxhi publik i Kosovës vazhdon të mbetet ndër më i ulëti në rajon. Ende, respektivisht edhe sivjet, borxhi publik i Republikës është ndjeshëm larg pragut të paraparë me ligj, përkatësisht 40 përqindëshit të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) dhe larg mesatares së vendeve të rajonit, që sipas të dhënave, e kanë diku rreth 60 për qind të BPV-së.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deri në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ose nëntëmujorit të 2022-tës, borxhi publik i Kosovës është saktësisht 1, 691, 83 miliardë euro, ose 20,48 për qind të BPV-së. Sivjet, në nëntëmujor pra, borxhi publik, krahasuar me vitin 2021, nuk ka shënuar fare rritje. Për më tepër, sipas ASK-së, ky borxh ka shënuar një ulje fare të vogël ose ta quajmë simbolike fare. Sepse, më 2021 Kosova kishte borxh të përgjithshëm prej gjithsej 1, 682, 89 miliardë eurove, respektivisht 21,53 për qind të BPV-së.
Ndërsa, po të krahasohen shifrat e borxhit të përgjithshëm publik të Kosovës që nga viti 2017 e deri sivjet, shihet qartë se ka pasur një rritje suksesive nga viti në vit. Kështu, më 2017 vendi ynë ka pasur gjithsej borxh të përgjithshëm publik 996, 42 milionë euro, ose 16,37 për qind të BPV-së, më 2018 borxhi publik i Republikës sonë ka arritur në 1, 093, 05 miliardë euro(17, 04 për qind të BPV-së), më 2019 ky borxh ka shkuar në 1, 201, 05 miliardë (17, 63 për qind të BPV-së), dhe më 2020 borxhi publik u ngritë goxha shumë për të arritur në 1, 487, 69 miliardë, ose 22, 44 për qind të BPV-së.
Rritja e borxhit publik në përgjithësi i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm public, që sivjet është rritur pёr 7.2 përqind (qё ka arritur nё 1.106, 14 miliardë euro), si dhe rritjes sё borxhit tё jashtëm publik prej 1.2 për qind (që ka arritur në 577, 35 milionë euro), dhe që gjithsej si borxh i përgjithshëm bëjnë saktësisht 1, 691, 83 miliardë euro. Kjo shumë e borxhit nuk është e madhe, as e papërballueshmme deri më tani për Kosovën e varfër, me nivel të zhvillimit ekonomik dukshëm nën mesataren europiane, por edhe nën nivelin e shteteve të rajonit.
Kosova, pra ishte shteti me borxhin më të ulët publik nga vendet e rajonit në vitin 2021, kur Mali i Zi kishte shënuar shifra me borxhin më të madh ndër shtetet e rajonit.
Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, në shtator të këtij viti, borxhi publik i vendit arriti në 9.89 miliardë euro, ose 59.1 për qind e PBB-së. Mali i Zi, siç u tha më lartë, qëndron më së keqi me 82.37 për qind, Bosnja kishte borxhin publik më 2021 gjithsej 34.82 për qind të BPV-së, Serbia (53.2 për qind), ndërsa Maqedonia e Veriut 55.4 për qind të BPV-së.
Nëpër statistika bie në sy po ashtu edhe borxhi publik shumë i lartë i Kroacisë (79.8 për qind e BPV), shtet ky tashmë qe disa vite anëtare e BE-së dhe me turizmin shumë të zhvilluar, që shënon çdo vit rendiment të lakmueshëm financiar. Në këtë vit, sipas të dhënave, Kroacia ka arkëtuar nga turizmi diku rreth 18 miliardë euro.
Duhet theksuar se borxhi publik përkufizohet si akumulimi i formave të ndryshme të kredive, të cilat realizohen nga shteti për zbatimin e politikës fiskale. Ndërsa, borxhi publik në raport me PBV-në është një nga mënyrat më të pranuara për të vlerësuar rëndësinë dhe madhësinë e borxhit të një vendi.
Në Kosovë, borxhi i përgjithshëm përkufizohet me Ligjin për Borxhet Publike si tërësia e borxhit shtetëror dhe borxhit komunal. Borxhi shtetëror mund të jetë borxh i drejtpërdrejtë apo borxh i nën-huazuar. Kurse, sa i përket juridiksionit të cilit i nënshtrohet, borxhi i përgjithshëm siç u tha më lartë, ndahet në borxh ndërkombëtar dhe në borxh të brendshëm – ku borxhi i brendshëm i nënshtrohet juridiksionit vendor, ndërsa ai ndërkombëtar mund t’u nënshtrohet edhe juridiksioneve jashtë Republikës së Kosovës.
Sipas legjislacionit në fuqi për borxhin publik, huamarrja e NPQ-ve nuk konsiderohet borxh publik dhe nuk llogaritet brenda kufirit të borxhit publik ndaj BPV-së. Për borxhin e denominuar në valutën jo euro, në Kosovë është përdorur kursi valutor i datës 30 shtator 2022. Sido që të jetë, njohësit e ekonomisë dhe e obligimeve financiare, theksojnë se sado që borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës është i vogël dhe goxha i përballueshëm lehtësisht edhe për Kosovën e varfër, shteti ynë megjithatë duhet të ketë shumë kujdes kur ngarkohet me borxhe të reja. Ato, duhet kthyer domosdo, dhe ngarkesat e mëdha, që do të ishiin jashtë mundësive reale të Kosovës me ekonomi akoma të brishtë, fare lehtë mund ta destabizojnë sistemin financiar të vendit. Prandaj, ekonomistët rekomandojnë gjithmonë kujdesin me borxhe të reja. /Buletini Ekonomik/