Kush janë kandidatët për Guvernator të BQK-së?

Sot mbyllet konkursi për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe gara për këtë pozitë duket të jetë interesante.

IndeksOnline nga burimet brenda Kuvendit të Kosovës ka mësuar emrat e disa kandidatëve që kanë konkurruar për guvernator. Janë Fehmi Mehmeti, guvenrantori aktual, Nexhat Kryeziu anëtar i Bordit aktualisht në BQK, Shkendije Himaj, po ashtu ish-punonjëse në BQK, Emanuel Bajra i cili jeton në Londër dhe aktiviteti i tij mbi 10 vite bankier në Londër.

Ndryshe, BQK-ja, aktualisht udhëhiqet nga Guvernatori Fehmi Mehmeti. Këtij të fundit i skadon mandati në mars të vitit të ardhshëm. Emërimi i guvernatorit të ri do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.

Reklama e sponzorizuar

Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë më pas një individ. Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti/ja i/e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit të BQK-së.

Në njoftimin e BQK-së, thuhet se konkursi është hapur bazuar në nenin 38 të Ligjit mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.