Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 65 vota pro e kanë miratuar mbrëmë në lexim të dytë Projektbuxhetin për vitin 2023.
Ky buxhet pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.
Një miliardë e 98 milionë euro janë ndarë për subvencione e transfere, 811 milionë në shpenzime kapitale, 745 milionë të tjera në kategorinë paga dhe mëditje dhe 493 milionë euro në mallra dhe shërbime.
Në hyrje të seancës, 94 deputetë kanë votuar pro-amendamentit që parasheh heqjen e nenit me të cilin mjetet vetanake të pashpenzuara të komunave të kalonin në llogarinë e shtetit.
Me Projektbuxhetin i vitit 2023, të propozuar nga Qeveria, parashihej që mjetet vetanake të kalonin në arkën e shtetit por me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbështetjen e pozitës, kjo është korrigjuar sot gjatë shqyrtimit në lexim të dytë.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi në seancën ku po shqyrtohej buxheti, ka thënë se ata si grup parlamentar propozojnë të hiqet fjalia e nenit 9 që të gjitha mjetet e pashpenzuara vetanake para vitit 2022, dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë Fondit Kosovar.
Sipas Gashit, kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim për Ligjin për Financat për pushtetin Lokal.
“Të hyrat vetanake janë të hyra që mbledhin nga komunat dhe në bazë të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, i cili derivon drejtpërdrejt nga Karta Evropiane e vetëqeverisjes lokale e cila është e transfozuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dalin obligime për autonominë lokale, sidomos në aspektin buxhetor, prandaj vlerësojmë se nëse nuk kalon ky amendament do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ne si grup parlamentar do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Gashi.
Derisa për këtë ka dhënë sqarim ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Bëhet fjalë për një fjali në një paragraf i cili as nuk është në kundërshtim me Kushtetutën sepse neni i Kushtetutës thotë se komunat kanë të drejt të mbledhin, të shpenzojnë të hyra vetanake, dhe të pranojnë buxhet nga Qeveria, asnjëherë kjo e drejt nuk cenohet nga kjo fjali, pra komunat kanë të drejt të mbledhin dhe t’i shpenzojnë ato por ajo bëhet në kuadër të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit, i cili thotë se të hyrat vetanake të mbledhura barten në vitin vijues, ra nga viti aktual bartën në vitin vijues”, tha Murati.
Në këtë Projektbuxhet ishin propozuar 97 amendamente, 10 janë të komisionit funksional, 82 amendamente janë propozuar nga deputetet por pa përkrahjen e komisionit funksional dhe 5 nga komisionet e tjera. /Telegrafi/