Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar sot njërin prej amendamenteve në Projektbuxhetin për vititn 2023, në të cilin parashihej dyfishimi i buxhetit për përfundimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Ky amandament ishte propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.
Në Projektbuxhetin e shtetit për vitin 2023, Qeveria e Kosovës në mesin e shumë projekteve infrastrukturore që ka paraparë të përfundojnë më 2023, për projektin e rrugës Prishtinë-Podujevë kishte prezantuar një shumë prej vetëm 6 milionë eurove, derisa projektet e tjera është parparë që të mbështeten me shuma shumë më të larta, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas deputetit Hyseni, për të përfunduar kjo rrugë patjetër se duhet të shtohen edhe 6 milionë euro të tjera, duke shtuar se dyfshimi i këtij buxheti është njëherësh edhe domosdoshmëri e qytetarëve të asaj ane.
“Projekti ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, të shtohet shuma prej gjashtë milionë euro, shumës aktuale që është planifikuar në buxhetin për vitin 2023. Pra të dyfishohet dhe të kemi 12 milionë euro gjithsej për këtë projekt”, tha ai.
Por, këtë amendament nuk e përkrahën as deputetët e tjerë të partisë në pushtet, përveç atyre që vijnë nga Podujeva. Ndërkohë, partitë opozitare, e përkrahën këtë amandament.
Për këtë amandament votuan gjithsej 75 deputëtë, prej të cilëve 37 votuan pro, 34 kundër dhe katër abstenime. /Buletini Ekonomik/









