Ministri Aliu: Janë zgjidhur problemet me shpronësime për rrugën Prishtinë – Podujevë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një konference për media bashkë me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin dhe kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, konfirmuan se sot kanë pranuar deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga minsitri i Financave, Hekuran Murati lidhur me projektin e rrugës Podujevë-Prishtinë.

Ministri Aliu tha se në total në Ligjin e buxhetit për këtë rrugë, janë ndarë gjithsej 22.3 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas tyre, problemet që janë hasur deri më tani në këtë rrugë, siç janë çështjet e shpronësimit dhe çështja e projektit, tashmë janë zgjidhur.

Reklama e sponzorizuar

Liburn Aliu, tha se tanimë janë zgjidhur këto probleme në gjithë pjesët ku është paraparë të zhvillohet projekti, nga Podujeva në Lluzhan, e deri në Bërnicë.

“Pra jo më vetëm pjesa e rrugës nga Lluzhani e deri në Podujevë, po edhe pjesa e rrugës nga Lluzhani deri në hyrje të Prishtinës, respektivisht në fshatin Bërnicë”, ka thënë Aliu.

Ministri theksoj tutje se i tërë segmenti do të ketë pesë llote, 16 kilometra nga Lluzhani deri në Bërnicë, që do të jetë i ndarë në katër llote, pastaj lloti i pestë do të jetë përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Podujevë, që përbën njëherësh edhe segmentin prej 9 kilometrash.

Ndërkohë, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se në ndërtimin e kësaj rruge ka pasur vazhdimisht probleme, për shkak të çështjeve të shpronësimit.

Megjithatë, ai tha se beson që deri në pranverë do të nënshkruhen kontratat përkatëse dhe do të fillojnë punimet.

“Në realizimin e punimeve për kontratat ka pasur shumë zvarritje, arsyet kanë qenë problemet me projektin dhe problemi më i madh ka qenë çështja e shpronësimit. Janë nënshkruar kontrata pa procedura të shpronësimit për këtë kemi pasur shumë probleme”, ka thënë Durmishi. /Buletini Ekonomik/