Qeveria e Kosovës, përmes një vendimi, ka ndarë edhe 2.8 milionë euro për kompensimin e dëmeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve. Mirëpo, fermerët e Rahovecit konsiderojnë se kjo shumë është e pamjaftueshme.
Fshati Fortesë i komunës së Rahovecit është ndër më të prekurit nga vërshimet që ndodhën këtë vit. Përveç amvisërive, dëme të mëdha pati edhe në toka bujqësore.
Fermerët mendojnë se shuma e ndarë për kompensim është e vogël krahasuar me dëmet që u janë shkaktuar.
Drejtori i Bujqësisë në komunën e Rahovecit, Berat Duraku, tha për RTK se nga komisionet e verifikimit dëmet në Rahovec e kalojnë shumën e 2 milionë eurove, por shpreson që fermerëve do t’u vihet në ndihmë.
Ndryshe, komuna e Rahovecit u godit dy herë këtë vit nga fatkeqësia natyrore, në gusht nga breshri dhe në shtator nga vërshimet pas reshjeve.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka ndarë 2. 8 milionë euro për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e nga të cilat do të përfitojnë fermerët nga 22 komuna.