Paga më e lartë mesatare vjetore në BE është regjistruar në Luksemburg. Nga vendet e rajonit, më mirë qëndron Sllovenia e Kroacia, kurse më keq – Bullgaria, Hungaria dhe Rumania – në njoftimin e Eurostatit, përcjell albinfo.ch.
Paga mesatare vjetore e harmonizuar me kohë të plotë për të punësuarit në vendet anëtare të BE-së vitin e kaluar ishte 33.500 euro, njoftoi Eurostat.
Kjo është hera e parë, siç thuhet në faqen zyrtare të statistikave evropiane, që Eurostat publikon këtë të dhënë.
Midis shteteve anëtare të BE-së, paga e harmonizuar mesatare vjetore më e lartë me orar të plotë të punës në vitin 2021 u regjistrua në Luksemburg në shumën 72.200 euro, e pasuar nga Danimarka (63.300 euro) dhe Irlanda (50.300 euro).
Pagat më të ulëta janë në Bullgari (10.300 euro), Hungari (12.600 euro) dhe Rumani (13.000 euro).
Kjo e dhënë është e detyrueshme për shkak të Direktivës së “Kartës Blu”, e cila përcakton përdorimin e pikërisht këtij treguesi për definimin e pagës mesatare vjetore bruto për çdo shtet anëtar të BE-së, me qëllim që të tërheqë punëtorë me koualifikim të lartë në BE me kushte më fleksibël.
“Karta Blu” është një lloj leje qëndrimi dhe pune e destinuar për qytetarë të kualifikuar jashtë BE-së që duan të jetojnë dhe të punojnë në BE.
Sipas këtyre të dhënave, shumica e vendeve janë nën mesataren e BE-së, ndërsa midis vendeve të rajonit, pagën mesatare vjetore më të lartë e ka Sllovenia në shumën 28.760 euro, ndërsa në Kroaci mesatarja është 16.170 euro.