PDK thotë se do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Memli Krasniqi- Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili u miratua në Kuvend këtë të enjte.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se duke u bazuar në drejtësi, presin rrëzimin e padiskutueshëm të tij.

Sipas tij, përmes këtij ligji Qeveria Kurti po synon largimi masiv nga puna të zyrtarëve publikë, shantazhimin, politizimin dhe nënshtrimin e tyre.

Reklama e sponzorizuar

“E gjithë kjo, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike”.

Si përfundim, ky ligj ka thënë se e ka vetëm një qëllim: “duke shkelur mbi djersën dhe kontributin e zyrtarëve të ndershëm publikë, Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje”.