Prishtina ndalon përdorimin, në Kosovë futen 120 tonë fishekzjarre

Komuna e Prishtinës ka ndaluar përdorimin e mjeteve fishekzjarre në vendet e hapura publike, përkatësisht në sheshe, tregje dhe rrugë. Por, deri tani në Kosovë janë futur rreth 120 tonë mjete piroteknike.

Pak ditë kanë mbetur nga festat e fundvitit, dhe qytetarët pothuajse janë bërë gati për të festuar.

Madje janë bërë gati edhe “ta kallin” Kosovën, me fishekzjarrë e mjete pirotenike.

Reklama e sponzorizuar

Furnizimin me këto produkte nuk ua ka ndal edhe gjendja jo e mirë financiare dhe rritja e çmimeve.

Deri tani qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar mbi 350 mijë euro për “barut”.

Në Doganën  e Kosovës kanë treguar se mjetet piroteknike janë ato të cilat janë importuar më së shumti sa i përket sasisë, peshës dhe çmimit.

Krahasuar me vitin e kaluar numri i produkteve piroteknike ka qenë 40 mijë kilogram, këtë vit është rritur në 120 mijë kilogram.

“Gjatë vitit të kaluar në vitin 2021 në total ka qenë importi i përgjithshëm i mjeteve piroteknike rreth 40 mijë kilogram që kanë pasur një vlerë rreth 50 mijë euro, sa kanë paguar taksa 110 mijë euro, ndërsa këtë vit kemi një rritje nga 40 mijë kilogram ka rritje në 120 mijë kilogram të importuara të cilat në aspektin e vlerës kanë shënuar rritje për shkak se kilogrami i mjeteve piroteknike është importuar rreth 1 euro. Tani kemi një rritje të dukshme të çmimeve dhe për momentin kemi rreth 220 mijë euro të importuara vlerë të këtyre produkteve taksat e grumbulluara për këtë import të produkteve kalojnë 350 mijë euro për shkak se secili import i mjeteve piroteknike tatohet përveç taksave të zakonshme edhe me 2 euro akcizë për kilogram dhe kjo manifeston edhe në rritjen e saj”.

Qytetarët ankohen nga përdorimi i mjeteve piroteknike, ndërkohë që nga komuna janë caktuar afatet nga 25 dhjetori deri më 3 janar për përdorimin e tyre.

Nga Komuna e Prishtinës kanë treguar se ka nxjerrë një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të produkteve piroteknike në vende publike, për çka janë të obliguar t’i largojnë dhe t’i gjobisin.

Rregullorja komunale parasheh në hapësira publike, nga 100 deri 500 euro për të gjithë ata të cilët shesin në mënyrë ilegale.

Kjo vlen nga 25 dhjetori deri më 3 janar.

“Ndalohet përdorimi i produkteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe. Ndalesa sipas pikës I të kësaj urdhërese vlen për periudhën prej 25 dhjetor 2022 deri më 3 janar 2023”.

Ditë më parë edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim për të ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike në këtë komunë.

Urdhëresa që Bulliqi ka nxjerr të mërkurë vlen nga dita e enjte (22 dhjetor) deri më 3 janar 2023. Ndërsa, për ata që nuk i përmbahen këtij vendimi, parashihen edhe gjoba.