Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme që ka mbajtur herët, ka marrë vendim për ndarjen e 20 milionë eurove si hua për ndërmarrjen publike, Telekomi i Kosovës. Këto mjete, sipas Qeverisë do të përdoren kryesisht për investime infrastrukturore.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të kësaj mase mbështetëse (hua) për Telekomin, ka thënë se për këtë vit fiskal do t’i jepen në shfrytëzim 5 milionë, ndërsa 15 milionë tjera do t’i ofrohen gjatë vitit 2023.
Kjo hua është aprovuar pas kërkesës zyrtare nga ndërmarrja Telekomi i Kosovës, drejtuar Qeverisë, mjete këto që sipas Telekomit, do të përdoren për financimin e infrastrukturës së teknologjisë dhe për projektet e prokurimit.
“Kërkesa për hua që kemi pranuar nga Telekomi i Kosovës, ka të bëjë me financimin e investimeve në infrastrukturën apo në përditësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë, dhe me procesin e prokurimit që tashmë e kanë përmbyllur. Fillimisht marr parasysh që jemi në përmbyllje të këtij viti fiskal dhe me anë të ligjit të buxhetit, kemi paraparë shumën prej 40 milionë eurove, e cila në masën e madhe, mbi 32 milionë euro është shfrytëzuar për KOSTT-in dhe Telekom-in përfundimisht, shuma e mbetur pra mund të dedikohet para mbylljes të këtij viti fiskal, kurse pjesa tjetër që mbetet për financimin e projektit investiv ashtu siç ka kërkuar Telekomi, të kryhet me procesin e vitit fiskal, kërkesa është që aprovohet një huadhënie deri në 5 milionë euro për Telekomin për këtë vit fiskal, kurse pjesa tjetër e mbetur prej 15 milionë të trajtohet në vitin e ardhshëm me buxhetin e ri, që në të njëjtën kohë aprovohet në tërësi kërkesa nga Telekomi ka qenë 20 milionë euro”, ka thënë Murati. /Buletini Ekonomik/