Qeveria ndan edhe 5.4 milionë euro për subvencionim të energjisë

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen që është duke e mbajtur sot, ka ndarë edhe 5.4 milionë euro për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike. Ndarjen e këtyre mjeteve e kërkoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. 

Ai tha para kabinetit qeveritar se subvencionimi i tarifave është duke u bërë në mënyrë që ato të mos rriten në mënyrë të pakontrollueshme.

“Ky propozim vendim ka të bëjë me ndarjen në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë e që Përbën hapin e radhës drejt përmbushjes së zotimit tonë për të ndarë 100 milionë euro për subvencionim të tarifave të energjisë elektrike e që ato të mos rriten në mënyrë të pakontrollueshme. Ndarja e radhës është në kuadër të ndarjes fillestare prej 60 milionë euro 5,4 milionë euro në mënyrë që të mbulohet subvencionimi i deritanishëm sipas modaliteteve nga Ministria e Ekonomisë”, është shprehur Murati.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe një ndarje tjetër buxhetore, që i përket Pakos së Përballjes me Inflacionin, për disa punëtorë të sektorit publik dhe studentët e tjerë, të cilët ende nuk i kanë pranuar shtesat nga qeveria.

“Bëhet fjalë për masat qoftë për mbështetjen e sektorit publik dhe studenteve qe nuk kanë marrë shtesat. Ndahen 5.8 milionë euro për këto masa mbështetëse”, ka shtuar ministri Murati.