Sado që shuma prej 560 milionë eurosh e investimeve të jashtme është më e madhja në krahasim me 13 vitet e fundit dhe goxha më e madhe se sa në vitin e kaluar (në vitin 2021, vlera e investimeve të huaja arriti shumën 415.3 milionë euro), edhe struktura e këtyre investimeve, cilësia dhe efektshmëria e tyre është akoma larg pritshmërive dhe ndikimit real në zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe në investimet e jashtme të sivjetshme goxha imponuse, kanë dominuar investimet në paluajtshmëri, në toka dhe në banesa në ndërtesat kolektive.
Mehmet GJATA
Po të kalkulohet me statistikat zyrtare shihet qartë se Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë kanë shënuar rritje këtë vit. Sipas BQK-së, nga 390 milionë euro vitin e kaluar, sivjet investimet kanë arritur në mbi 560 milionë euro.
“Nga janari deri në muajin shtator 2022, vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë, ka arritur në shumën prej 566.8 milionë eurosh. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vlera e investimeve të huaja ishte 394.6 milionë euro. Kurse, vetëm nga Shqipëria këtë vit investimet drejt Kosovës kanë shkuar në 58.2 milionë, nga 32 milionë sa ishte vitin e shkuar”, kanë saktësuar nga BQK për mediet shqiptare.
Drejtori i Këshillit të Investitorëve Europianë, Emrush Ujkani, në një deklaratë për media ka treguar se gjendja është e mirë edhe përkundër luftës që po ndodh në Ukrainë, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në të bërit biznes.
“Eshtë vërejtur gjatë kësaj periudhe se ka pasur interesim të madh prej kompanive që kanë operuar edhe në tregun rus apo të Ukrainës e të cilat në një formë kanë parë alternativë tërheqjen e domosdoshme dhe kanë kërkuar rajone të qëndrueshme e që ofrojnë mundësi të reja. Unë jam vetë dëshmitar i asaj që kemi pritur disa prej kompanive që kanë shprehur interesim”.
Mirëpo, duhet shtuar se edhe për kundër faktit se investimet e huaja direkte në Kosovë janë shtuar në krahasim me vitet paraprake, ato do të ishin, gjithsesi, edhe më optimale po të ishte situate politike stabile në tërë territorin e vendit. Sipas njohësve të rrethanave investive tensionet politike në veri të Kosovës, kanë ndikuar jo pak në “dëbimin” e investitorëve potencial të mundshëm.
“Edhe ato investime potenciale rrezikohen nga pasiguria në vend, saktësisht prej “ambientit të konfliktit”, ka theksuar këto ditë për medie të vendit, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, duke shtuar se “kjo situatë ndikon negativisht në perceptimin e korporatave multinacionale për Kosovën”.
“Investitorët e huaj në përgjithësi kanë shumë pak njohuri për Kosovën, zhvillimet në aspektin ligjor, përfshirë këtu edhe ofertën për tërheqje të investimeve. Për një pjesë të madhe, Kosova sjell në kujtim të tyre imazhet e luftës së fundviteve të 90-ta”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, sado që shuma prej 560 milionë eurosh e investimeve të jashtme është më e madhja në krahasim me 13 vitet e fundit dhe goxha më e madhe se sa vitin e kaluar (në vitin 2021, vlera e investimeve të huaja arriti shumën 415.3 milionë euro), edhe struktura e këtyre investimeve, cilësia dhe efektshmëria e tyre është akoma larg pritshmërive dhe ndikimit real në zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe pse mungojnë të dhënat e sakta se në cilët sektorë janë bërë këto investime, nga vëzhgimet e analistëve dhe njohësve të zhvillimeve investive në vend, shihet se edhe në këto investime të jashtme të sivjetshme goxha imponuse, kanë dominuar investimet në paluajtshmëri, në toka dhe në banesa në ndërtesat kolektive.
Me fjalë të tjera, paratë e diasporës, që përbëjnë një pjesë të mirë të investimeve të jashtme në Kosovë (sivjet deri në fund të shtatorit remitencat arritën në 916.2 milionë euro, që i bie se diaspora ka dërguar 54.4 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar), edhe më 2022, sivjet pra, janë të investuara në ambiente banimi, ose edhe te ndonjë hapësirë për zhvillimin e ndonjë tregtie të vogël. Por, investimet në blerjen e banesave nuk kanë shumë dorë, pra nuk e kanë ndikimin e efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të vendit.
Pa tendencë për t’ua ulur në asnjë mënyrë rëndësinë dhe vlerën që e kanë për mirëqenien dhe zbutjen e ç’ekuilibrimit social, remitencat e rritura ndjeshëm edhe për mbajtjen e gjendjes disi stabile, sidomos të tregut të ndërtimeve dhe të paluajtshmërive të tjera, këto para, qofshin edhe të rritura kështu si janë, nuk ndikojnë efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të Kosovës, në rritjen e vendeve të punës dhe në proceset e tjera zhvillimore aq të nevojshme për Kosovën.
Ndërsa, Kosova ende nuk e ka gjetur çelësin për të joshur investuesit e jashtëm në kapacitetet gjeneruese të preferueshme dhe më të kërkuara ekonomike, por as për investimin e remitencave të shumta të mërgatës sonë. Kryesisht deri tani në Kosovë paratë e shumta të diasporës (vjet kaluan goxha shumë miliardëshin, e sivjet deri më fund të shtatorit remitencat arritën në 916.2 milionë euro, që i bie se diaspora ka dërguar 54.4 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar), janë investuar në paluajtshmëri.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë periudhës janar-korrik 2022, në Kosovë investimet e huaja kanë qenë 402 milionë e 900 mijë euro. Dhe, pjesa më e madhe e këtyre investimeve janë të përqëndruara në patundshmëri. “Në periudhën janar-korrik 2022, vlera e IHD-ve në patundshmëri ishte 278.1 milionë euro“, thuhet në të dhënat e BQK-së.
Pak a shumë njëjtë ka qenë struktura e investimeve të huaja edhe gjatë vitit 2021. Sipas vlerësimeve dhe përllogaritjeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e investimeve të huaja direkte vetëm deri në muajin shtator 2021, kishte arritur në 389 milionë euro, që janë goxha më shumë në krahasim me 254 milionë euro të regjistruar vitin e kaluar, pra deri në shtator 2020. Kjo, sipas zyrtarëve të Kosovës është vlera më e lartë e investimeve në raport me mesataren e deritashme.
Nga viti 2010 deri në vitin 2020, mesatarja e investimeve të huaja direkte për 6-mujorët e parë të viteve është 121.9 milionë euro, ndërsa në 6 muajt e parë të vitit 2021 janë 230.1 milionë euro, apo 89% ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme. I bie që gjatë vitit aktual ka 33% më shumë investime se viti i kaluar, ose 109% më shumë se në vitin 2019.
Këto shifra, sado të vogla që janë, nuk janë për t’u nënçmuar, por struktura e këtyre investimeve fletë se ato janë goxha specifike dhe kanë ndikim më shumë në tregun e ndërtimeve dhe pak a shumë në atë të paluajtshmërive të tjera.
Gjatë periudhës janar-shtator 2021-shit, në Kosovë, rritjen më të lartë kishin shënuar IHD-të tek investimet në patundshmëri, të cilat arritën në 265 milionë euro (gjithsej investimet e huaja në periudhën janar-shtator-389 milionë euro), dhe që është më shumë se dyfishi në krahasim me 129 milionë euro të regjistruar si IHD në paluajtshmëri deri në fund të shtatorit 2020. Shprehur në përqindje, i bie të kishte një rritje prej 106 për qind.
Ndërkohë, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Pasuritë e paluajtshme po vazhdojnë të jenë dukshëm sektori dominues i investimeve të huaja në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se duhet përkrahje institucionale që të ketë investime më kualitative në vend.
“Vendi ka nevojë për investime kualitative që shtojnë prodhimin, rrisin punësimin dhe ngritin mirëqenien e qytetarit. Duhet të gjitha institucionet të jenë shumë agresive, në mënyrë që të sjellin investitorë për të mirën e vendit tonë”, ka thënë ai për medien e vendit.
Nga të dhënat e institucioneve të pavarura kompetente për vëzhgimin dhe përcjelljen e ecurive financiare në Kosovë, shihet se remitencat kanë prekur lartësitë e grafikoneve, dhe duke krahasuar ato ndër vite, dalin të jenë rekorde. Për prurjet e pandalura financiare të diasporës kosovare flasin edhe të dhënat e Bankës Botërore. Sipas të dhënave të BB-së në vitet pas pavarësisë, në Kosovë si remitenca janë dërguar 12.6 miliardë euro.
Kjo është para e madhe. Është e vërtetë, se prurjet e financiare të diasporës kanë pasur ndikim të padiskutueshëm në mirëqenien e shumë e shumë kosovarëve, të rritjes së standardit të tyre dhe të zbutjes së gjendjes së rënduar sociale tek shumë e shumë të tjerë. Por, këto efekte, nuk kanë qenë më shumë se kaq. Gjithë këto mjete financiare nuk kanë pasur efektshmërinë evidente në zhvillimin ekonomik, në ndërtimin e më shumë kapaciteteve industriale dhe përpunuese, që do të gjeneronin domosdo vende të reja pune dhe të mira të tjera zhvillimore.
Këto janë fakte. Buletini Ekonomik në disa raste ka njoftuar për gatishmërinë e vendosmërinë e bashkëatdhetarëve tanë që u treguan të vendosur dhe të gatshëm për ta ndihmuar vendin.
Mirëpo, të gatshëm dhe me vullnet edhe politik duhet të tregohet edhe shteti i Kosovës, institucionet dhe autoritetet e tij për t’i trajtuar siç e meritojnë këto para. Kjo nënkupton që t’u ofrohen më shumë projekte joshëse dhe perspektivë mërgatës sonë për ta investuar paranë e tyre, të aplikohen të gjitha lehtësirat e mundshme për t’i investuar një pjesë të mirë të remitancave në kapacitete të efektshme dhe rezultative ekonomike. Dhe duhet të ndryshojë qasja institucionale e shprehjes së joshjes së diasporës për të investuar realisht në ndonjë kapacitet prodhues industrial apo bujqësor në vendlindje. Kjo nënkupton që në asnjë mënyrë mos të lihen jashtë rrjedhave të zhvillimeve ekonomike e shoqërore, të mos ketë anashkalime të bisnesmenëve nga diaspora, qoftë në procesin e privatizimit të aseteve të mbetura të Kosovës, qoftë në procesin e tenderimit të punëve të ndryshme, në procesin e prodhimit dhe në kryerjen e shërbimeve, për çka kompanitë e ndryshme të diasporës sonë po vlerësohen tashmë si shumë kompetente dhe profesioniste në vendet ku po afarojnë me bisneset e tyre.
Për secilin vizion a plan konkret për kapacitete të reja prodhuese e të shërbimeve, paraprakisht duhet të njoftohet deri në detaje diaspora jonë. Dhe të vlerësohen si të barabartë në garën eventuale konkurruese. Në këtë kontekst, të studiohen përvojat e mira të vendeve me diasporë të madhe numerikisht dhe pse jo, të mësohet nga këto përvoja.
Ndryshe, remitencat do të investohen sikundër deri më tash në konsumin familjar dhe në përmirësimin e gjendjes sociale të familjeve kosovare dhe pa efekte të tjera të gjithë kësaj paraje. Paratë e diasporës, s’do mend se janë kolosale, dhe ka gjasë që ato do të vazhdojnë të shtohen edhe më, por tashmë është koha e fundit që ato, pos në mirëqenien dhe tejkalimin e sfidave sociale në shumë familje kosovare, duhet të orientohen për t’u investuar në kapacitete gjeneruese, në sosh që ndikojnë më shpejtë më rimkëmbjen ekonomike të vendit. “Në planin afatmesëm, Kosova duhet të kalojë në një model rritjeje më të orientuar drejt produktivitetit”, thuhet në raportin e BB-së “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas pandemisë COVID-19”. Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Nuk mundet gjithnjë Kosova të vazhdojë me modelin e rritjës ekonomike të bazuar kruesisht në konsum dhe me mbështetje të madhe nga mërgata. Duhet të zgjerohet aktiviteti ekonomik urgjentisht dhe të shtohen investimet e jashtme, por edhe cilësia e tyre./Buletini Ekonomik/