Presidenti Vladimir Putin dha të martën përgjigjen e Rusisë ndaj çmimeve tavan të vendosura nga vendet perëndimore, duke nënshkruar një dekret që ndalon furnizimin me naftë bruto dhe produkte të saj, duke filluar nga 1 shkurti, për pesë muaj, për këto vende.
Grupi i Shtatë vendeve me të industrializuara të botës, Bashkimi Evropian dhe Australia ranë dakord këtë muaj për vendosjen e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi për naftën e papërpunuar ruse për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Vendimi hyri në fuqi më 5 dhjetor.
Tavani është afër çmimit aktual të naftës ruse, por shumë më poshtë se çmimi që Rusia ishte në gjendje të shiste naftë këtë vit dhe kjo ndihmoi në kompensimin e ndikimit të sanksioneve financiare të Perëndimit ndaj Moskës.
Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë pas Arabisë Saudite, dhe një ndërprerje e madhe nga ana e saj e shitjes së naftës do të kishte pasoja shumë të mëdha për furnizimin global me energji.
Dekreti, i publikuar në një portal qeveritar dhe në faqen e internetit të Kremlinit, u paraqit si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj atyre që u quajtën “veprimeve jomiqësore dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, vendet e tjera të huaja, dhe organizatat ndërkombëtare që u bënë pjesë e tyre”.
“Ndalohen dërgesat e naftës dhe produkteve të naftës ruse për subjekte dhe individë të huaj, të cilët kanë vendosur çmime tavan në mënyrë direkte ose tërthorazi”, thuhet në dekret, duke iu referuar konkretisht Shtetet e Bashkuara dhe vendeve të tjera që kanë vendosur çmime tavan për naftën ruse.
“Ndalimi vlen për të gjitha fazat e furnizimit deri tek blerësi përfundimtar.”
Dekreti, i cili përfshin një klauzolë që lejon presidentin Putin ta anulojë atë në raste të veçanta, thotë: “Kjo hyn në fuqi më 1 shkurt të vitit 2023 dhe do të zbatohet deri më 1 korrik të vitit 2023”.
Eksportet e naftës bruto do të ndalohen nga 1 shkurti, por data e ndalimit të produkteve të naftës do të përcaktohet nga qeveria ruse dhe mund të hyjë në fuqi pas 1 shkurtit./VoA/