Vazhdon kthimi negativ i investimeve të Trustit në tregjet ndërkombëtare

Kriza në tregjet financiare globale përgjatë këtij viti, ka bërë që investimet e jashtme të Fondit Pensional të Kosovës të tkurren në shifra mjaft të larta. Si rrjedhojë e kësaj, Trusti nga janari deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ka humbur hiç më pak se 170.5 milionë euro nga rënia e vlerës së aseteve të saj në këto tregje.

Në raportin më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku shpalosen informatat mujore të sistemit financiar në vend, në muajin tetor të këtij viti, kthimi nga investimet e Trustit jashtë vendit ishte -170.5 milionë euro, njësoj siç ishte kthimi edhe gjatë muajit shtator, për dallim nga gushti, kur kthimi ishte -161.6 milionë.

Madje, ekspertë të çështjeve ekonomike po vlerësojnë se derisa çrregullimet në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë, paratë e kontributpaguesve në vendin tonë do të shënojnë vazhdimisht humbje.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë kësaj periudhe (pra deri në tetor), kontributet e reja në Trustin Pensional të Kosovës arritën në 177.1 milionë euro, derisa vlera e çmimit të aksionit ishte 1.64 nga 1.59 euro sa ishte vlera e tij në muajin shtator, përcjell Buletini Ekonomik.

Vlera e aseteve të jashtme neto të investuara nga Fondet Pensionale të Kosovës deri në muajin tetor të këtij viti, ishte gjithsej 1 miliardë e 600 milionë euro.

Ndërkohë, vlera e përgjithshme e aseteve të Fondit Pensional të Kosovës, aktualisht është 2 miliardë e 319.5 milionë euro, prej të cilave 2 miliardë e 311.0 milionë i takojnë Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), kurse 8.5 milionë janë asete të Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP).

Edhe në Fondin Slloveno-Kosovar të Pensioneve në muajin tetor ka pasur kthim negativ të investimeve, ku humbja ishte -895.3 mijë euro, derisa kontributet e reja në këtë fond u shtuan për 442.6 mijë euro. Vlera e çmimit të aksionit në FSKP ishte 182.62 euro.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/