Viti që e lamë pas, përkundër krizave emergjente me inflacionin dhe energjinë, ka qenë vit produktiv vetëm për sektorin bankar në Kosovë. Bankat komerciale që operojnë në vend, kanë arritur fitime rekorde neto gjatë tërë këtij viti, me ç’rast vetëm nga janari deri në muajin nëntor 2022, të njëjtat kanë arkëtuar gjithsej 131. 9 milionë euro profit neto. Kjo shifër shënon njëherësh edhe vlerën më të lartë fitimprurëse në historinë e bankave në vend deri më tani.
Buletini Ekonomik
Sektori bankar në Kosovë ka disa vite që qëndron stabil, përkundër krizave të njëpasnjëshme që po ndodhin gjatë viteve të fundit. Ky sektor është i vetmi që nuk është prekur në masë të madhe as nga kriza e pandemisë Covid-19, e as asaj post-Covid, madje nuk u ndikua fare as nga krizat e mëpastajshme, siç janë inflacioni dhe kriza energjetike që po mbizotëron gjithandej botës qe pothuajse një vit e gjysmë.
Në vendin tonë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj. Të njëjtat, për vetëm 11 muaj të këtij viti kanë arritur t’i shtojnë në stoqet e tyre gjithsej 131.9 milionë euro, ndërsa nëse vazhdojnë me ritmin e njëjtë të fitimeve mujore, pritet që së bashku me dhjetorin të përmbyllet një vit me diku 145 milionë euro profit neto.
Në këto fitime enorme të tyre, kanë kontribuuar në masë të madhe normat e larta të interesit në kredi, si dhe tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi), të cilat në vitin e fundit pothuajse të gjitha janë rritur shkaku edhe i inflacionit të lartë që po mbretëron në Kosovë e rajon, përcjell Buletini Ekonomik.
Për dallim nga shuma prej 120 milionë eurove sa ishte profiti neto i tyre në fund të muajit tetor 2022, vetëm për një muaj, bankat në vend kanë shtuar në llogaritë e tyre edhe 11.6 milionë tjera.
Në anën tjetër, nga janari deri në muajin shtator të këtij viti, bankat në vend kishin regjistruar fitim neto prej mbi 100 milionë eurove, kurse deri në korrik, të njëjtat kanë pasur fitim prej 83.3 milionë eurove, deri në qershor kishin arkëtuar gjithsej 67.5 milionë, kurse vetëm deri në maj, fitimi i tyre ishte regjistruar në një shifër prej 56.4 milionëve. Pra, për vetëm një muaj operim (qershor-korrik), bankat në vend kanë arritur të shtojnë fitimet e tyre për 15.8 milionë euro, ndërsa balanca mes korrikut dhe gushtit ishte 13.7 milionë euro fitim.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin nëntor të vitit 2022, të hyrat totale në këtë sektor deri në fund të muajit, ishin në vlerë të 335.4 milionë eurove, për dallim nga muaji tetor kur të njëjtat ishin në vlerë të 303 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 238.5 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 203.6 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin vetëm 23.7 milionë euro.
Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin nëntor u rritën për nga një pikë në krahasim me muajin tetor të këtij viti. Norma e përgjithshme e interesit nga 6.2% sa ishte në tetor, shkoi në 6.3% në nëntor, derisa norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë shkoi në 6.1%, nga 6.0% sa ishte në tetor, për ato konsumuese shkoi poashtu në 6.4%, nga 6.3% sa ishte në tetor, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare mbeti në 6.3% ashtu siç ishte edhe në muajin tetor.
Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin nëntor të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 307.6 milionë nga 4. 268.3 milionë euro sa ishte vlera në tetor. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 613.4 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 668.5 milionë tjerat për korporatat jo financiare, dhe 9.2 milionë euro për korporatat tjera financiare.
Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, në muajin nëntor arritën në 5 miliardë e 311.8 milionë euro, nga 5 miliardë e 289.2 milionë sa ishte vlera e tyre në tetor.
Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 6 miliardë e 481.9 milionë euro.
Kujtojmë se edhe gjatë vitit të kaluar, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 100 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80 milionë euro, kurse sivjet profiti prej 100 milionëve u arrit gjatë shtatorit, ku fitimi neto ishte 107.7 milionë. Nëse vazhdon ky ritëm i njëjtë i fitimeve të bankave edhe për një muaj llogaritje (statistikat për dhjetorin) sa ka mbetur deri në përfundim të vitit, fitimi vjetor neto i bankave pritet t’i afrohet 150 milionëshit. /Buletini Ekonomik/