Murati: Reforma e skemave sociale dhe pensionale është e domosdoshme

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se reforma për skemat sociale dhe pensionale është e domosdoshme.

Murati përmes një shkrimi në facebook ka thënë se kjo reformë është e nënshkruar me Bankën Botërore.

“Reforma e Skemave Sociale dhe Pensionale është e domosdoshme. Kjo reformë mundësohet nga marrëveshja që ne si Qeveri kemi nënshkruar me Bankën Botërore, marrëveshje e cila tashmë ka muaj që pret dritën e gjelbër nga Kuvendi i Republikës. Shpresoj që një nga punët e para që do të bëjë Kuvendi në sesionin e ri, të jetë ratifikimi i kësaj marrëveshjeje”, ka njoftuar Murati.

Reklama e sponzorizuar

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere gjatë vitit 2021 kishte miratuar në parim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Ndryshe, Banka Botërore më herët kishte njoftuar se ka miratuar këtë projekt, ku vlera e ndarë është 47 milionë euro kredi nga IDA me afat të shlyerjes për 30 vjet.