Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me urdhër të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ishte kthyer të punonte në Zyrën e Kryeministrit në muajin qershor. Por, a po i lëndohet kredibiliteti? Një raport u desh ta shkruanin e pastaj rishkruanin.
Ishte 22 qershori i vitit 2022 kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte nënshkruar një vendim në të cilin bëhej bartja e ASK-së nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ku bënte pjesë.
Kryeministri i Kosovës përmendte shifra e statistika më shumë se çdo tjetër, dhe kjo bartje dukej… e dyshimtë, thënë më e pakta.
“Mendoj se është gabim nëse transferohet në Zyren e Kryeministrit. Agjencitë e tilla janë të pavarura në shumë vende me qëllim që të jenë të pandikuara nga politika e përditshme, me qëllim që të dhënat e tyre dhe analizat që bëjnë të jenë profesionale dhe të besueshme nga publiku i gjerë,” – i kishte thënë ish-kryeministri Avdullah Hoti, gazetës Nacionale.
Por, tashmë kjo është punë e kryer. ASK-ja është brenda asaj Zyreje, të një kryeministri që përdor shifra të pabesueshme për një pjesë të madhe të shoqërisë. 25 mijë vende pune, ta zëmë. Ose, rritje dyshifrore ekonomike më 2021. E të tjera.
Raporti i ‘dyhertë’
E, kur jemi te rritja ekonomike një gjë e çuditshme veçse ka ndodhur. ASK-ja ka prodhuar një raport për Tremujorin e Tretë (TM3) të vitit 2022 ku tregon për të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV).
Në raportin e publikuar më 15 dhjetor, shkruhet se “BPV-ja në TM3 2022 shënon rritje reale për 2.07% krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2021).”
Aty paraqiteshin në mënyrë të detajshme të gjitha aktivitetet ekonomike që kishin pasur rritje dhe rënie. Ta zëmë, aktivitetet financiare dhe të sigurimit ishin rritur për 12,67 për qind; informacioni dhe komunikimi për 8,28 për qind; bujqësia, pyjet dhe peshkimi për 2,18 për qind e kështu me radhë. Ndërkohë, rënie kishin pësuar ndërtimtaria me 7,78 për qind; administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia me 0,48 për qind e kështu me radhë.
Por, gati një muaj më pas, më 13 janar, për të njëjtën periudhë nga e njëjta agjenci janë publikuar shifra të tjera: u rrit “rritja reale”.
Rryma që s’e pamë
“BPV-ja në TM3 2022 shënon rritje reale për 3.26%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2021).” – shkruhet në raportin e ri.
Por, ani pse gjithçka tjetër është në shifrat e njëjta, një aktiviteti të vetëm i janë ndryshuar shifrat drastikisht: “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit 7,18%”
Ndërkohë, kishte qenë në raportin e mëhershëm vetëm 2,24%.
Qysh është e mundur të ketë një ndryshim kaq drastik të kësaj përqindjeje?
Sipas ASK-së më herët nuk ishte vërejtur që kishte pasur rritje të një aktiviteti ekonomik: Nace 3511. “Në këtë rast u vendos që të ndryshohet ky deflator dhe të merret indeksi i aktivitetit 3511 (prodhimi i rrymës elektrike) për deflatim.” – shkruan ASK-ja.
Por, a ishte gabimi në matjen e prodhimit të rrymës elektrike shkaktari i ndryshimit drastik të rritjes së Bruto Produktit Vendor nga 2,07 për qind në 3,26 për qind? Kjo nënkupton se rritja e BPV-së në mbarë Kosovën ndryshoi për 1,19 pikë të përqindjes vetëm prej aktivitetit ekonomik të lartpërmendur.
Kujtojmë se për Tremujorin e dytë të vitit 2022 rritja sipas ASK-së kishte qenë 2,14 për qind ndërsa për Tremujorin e parë të vitit 2022 4,51 për qind.