ATK shënon 23-vjetorin e themelimit, mbi 6 miliardë euro të arkëtuara që nga viti 2000

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dje ka shënuar 23 vjetorin e themelimit të saj.

Që nga viti 2000 deri në vitin 2022, ATK-ja thotë se ka arritur të inkasojë gjithsej 6 miliardë e 506 milionë euro tatime, dhe 2 miliardë e 425 milionë euro kontribute pensionale, ku totali i bie afër 9 miliardë euro të mbledhura tatime dhe kontribute pensionale, përcjell Buletini Ekonomik.

Në komunikatën e ATK-së për përvjetorin e 23-të, thuhet se referuar vetëm nga muaji janar deri në fund të muajit dhjetor 2022, janë inkasuar 723.9 milionë euro tatime, që siç i referohen ata janë të hyra rekorde.

Reklama e sponzorizuar
Nga ATK-ja theksojnë se faktorët të cilët kanë ndikuar në rritjen e progresit të ATK-së, janë digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, profesionalizimi i stafit, transaparenca, llogaridhënia, reformat në mbledhjen e borxheve, rimbursimet tatimore, rritja e partneritetet me qytetarët, reformat në strukturimin e stafit etj.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ATK-ja ka pasur rritje të të hyrave për 126.2 milionë euro apo 21.1%, ndërsa në krahasim me planin e rishikuar ka pasur rritje për 12.3 milion euro apo 1.7%. Ndërkohë, kontributet pensionale janë në shumën e 237.5 milionë eurove. Pra, sipas ATK-së, totali i tatimeve dhe kontributeve të mbledhura është 961.4 milionë euro.
“Të gjitha këto të arritura nuk do të ishin të mundura pa bashkëpunimin e ndërsjellë edhe me institucionet e tjera: Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Doganat, Policinë e Kosovës, ARBK, Trust-i, Bankat, Odat Ekonomike, Shoqatat e kontabilitetit, e Donatorët.
Administrata Tatimore e Kosovës gjithashtu falënderon të gjithë tatimpaguesit që për 23 vite kanë kontribuar në rritjen e buxhetit të shtetit, në të njëjtën kohë iu bënë thirrje që t’i kryejnë obligimet tatimore me kohë dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e zhvillimit të shtetit tonë”, thuhet tutje në njoftimin për media nga ATK-ja. /Buletini Ekonomik/