Britania tërheq gjithnjë e më pak investime të jashtme – Prodhuesit paralajmërojnë se vendi nuk është më konkurues

Financial District of London and the Tower Bridge

Britania është bërë më pak konkuruese dhe më pak tërheqëse për investitorët e huaj si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë dhe trazirave të fundit politike. Ky është rezultati i një sondazhi në këtë sektor.

Janë 31% e prodhuesve, të cilët mendojnë se Britania është një vend konkurrues, ndërsa një vit më parë përqindja ishte më shumë se dyfishi në 63. Rreth 43% e të intervistuarve thanë se Britania është bërë më pak tërheqëse për investitorët e huaj, sipas sondazhit nga “Make UK”, organi kryesor tregtar për prodhuesit britanikë.

Sondazhi i 235 bizneseve u zhvillua nga 1 nëntori deri më 22 nëntor në 2022-shin, kur trazirat e qeverisë jetëshkurtër të Liz Truss ishin të freskëta në mendjet e njerëzve dhe 53% e firmave thanë se paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike kishte dëmtuar besimin e biznesit. Këtë javë ministri britanik i financave Jeremy Hunt do të përshkruajë planet për të zvogëluar ndjeshëm subvencionet e energjisë për bizneset.

Reklama e sponzorizuar

“Make UK” tha se këto plane ka të ngjarë të shkaktojnë përkeqësim për sa i përket shkurtimeve të vendeve të punës dhe prodhimit. Kur sondazhi u zhvillua në nëntor, dy të tretat e prodhuesve prisnin të reduktonin numrin e punonjësve ose prodhimin për shkak të kostove të larta të energjisë. Prodhuesit në Britani kanë pasur vështirësi kohët e fundit, me sondazhet e S&P Global që tregojnë se ata pësuan një rënie më të rëndë në dhjetor sesa homologët e tjerë të grupit të shtatë vendeve.

Ndërprerja e vazhdueshme e zinxhirit të furnizimit, aksesi në fuqinë punëtore dhe kostot e larta të transportit, të cilat nuk tregojnë asnjë shenjë zbutjeje, mund t’i shtohen një ndjenje në rritje të pasigurisë ekonomike dhe politike në tregjet e tyre kryesore. Gjithashtu ekziston një rrezik i konsiderueshëm që prodhuesit britanikë të përjetojnë një situatë dhe më negative nëse qeveria nuk arrin të zgjerojë programet e mbështetjes së faturave të energjisë.

Qeveria planifikon të reduktojë subvencionet e energjisë për bizneset duke bërë që kostoja e mbështetjes të bjerë me 85% gjatë vitit të ardhshëm financiar, duke kufizuar këtë koston në 5 miliardë paund. /Scan tv/