Bursat europiane janë hapur në rritje edhe në sesionin e sotëm, ndërsa një ditë më parë prekën nivelin më të lartë që nga prilli i vitit 2022. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.3%, ndërsa sektori i automjeteve realizon humbjet më të mëdha, në rënie me rreth 1.5%.
Humori i investitorëve është përmirësuar nga ngadalësimi i inflacionit në SHBA, gjatë dhjetorit, që rezultoi me një rënie mujore prej 0.1% dhe një rritje vjetore prej 6.5%. Ndërsa në nëntor inflacioni u rrit me 7.1%.
Investitorët në të gjithë botën do të monitorojnë të dhënat mbi inflacionin në ekonomitë më të mëdha, që mund të japin një panoramë më të qartë mbi politikat monetare që do të ndjekin bankat qendrore. Presidenti i Rezervës Federale të Filadelfias, Ed Harker, sinjalizoi se në takimin e radhës norma bazë e interesit mund të rriten me vetëm 25 pikë përqindje. Referuar të dhënave të tjera, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u rrit me 0.1% gjatë nëntorit, ndërsa analistët parashikonin një rritje negative.