Tregjet ndërkombëtare po ecin shumë mirë, por nuk duhet të ndjehemi ende komod – nëse viti i kaluar na mësoi diçka është të presim të papriturën.
Në ditën e parë të vitit të kaluar të tregjeve, S&P 500 dhe Dow arritën nivele rekorde.
Megjithatë, më vonë Rezerva Federale shfaqi shqetësime për rritjen e inflacionit dhe njoftuan se po e shqyrtonin mundësinë për rritjen e normave të interesit.
Që atëherë, triliona dollarë janë fshirë nga tregjet anembanë globit pasi aksionet dhe obligacionet u goditën nga politika e ashpër e FED-it, kaosi gjeopolitik, mbylljet shkaku i COVID-19 dhe më shumë.
Pra, çfarë është në radar këtë vit? CNN sjell historitë kryesore të tregjeve gjatë vitit të kaluar që mund të na ndjekin edhe në vitin 2023.
Inflacioni, FED dhe recesioni
Inflacioni ishte historia kryesore e tregjeve gjatë vitit të kaluar – çmimet në mbarë globin u rritën, duke i shtyrë bankat qendrore të rrisin kolektivisht normat e interesit më shumë se 300 herë.
Në Shtetet e Bashkuara, inflacioni arriti kulmin që nuk e kishte arritur gjatë katër dekadave të fundit, gjegjësisht në 9.1 për qind gjersa Rezerva Federale rriti normat në mënyrë agresive si kundërpërgjigje, transmeton Telegrafi.
Deri në fund të vitit, zyrtarët e FED-it rritën normat e interesit që bankat i ngarkojnë njëra-tjetrës për huamarrjen njëditore në një interval prej 4.25-4.5 për qind, më e larta që nga viti 2007.
Këto rritje të normave kishin për qëllim të ftohnin ekonominë dhe të ulnin rritjen e çmimeve, por tani analistët dhe ekonomistët kanë frikë se gjërat janë bërë aq shumë të ftohta, sa që një recesion është i afërt.
Pyetja është: Sa e keqe do të jetë?
Kina
Politika e Kinës për zero raste me coronavirus ka mbajtur një pjesë të madhe të vendit të mbyllur për periudha të konsiderueshme kohore gjatë tre viteve të fundit – duke mbytur biznesin dhe zemëruar qytetarët e tregtinë globale.
Tani, Pekini po lëviz nga protokolli i rreptë i politikës dhe pritshmëritë janë të larta për ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Por procesi i rihapjes ka të ngjarë të jetë i çrregullt, sipas ekonomistëve. Ata presin që këtë vit ekonomia e vendit të ketë ulje dhe ngritje.
Rusia dhe Ukraina
Në fund të shkurtit, Rusia pushtoi Ukrainën dhe filloi një luftë të gjatë që shkaktoi globalisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Tani, një krizë energjetike po pushton Evropën.
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kanë paralajmëruar se Evropa mund të përballet me një mungesë të gazit natyror prej 27 miliardë metra kub në vitin 2023. Kjo është e barabartë me gati 7 për qind të konsumit vjetor të rajonit.
Rusia, e cila dërgoi rreth 60 miliardë metra kub gaz në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2022, mund të ndalojë plotësisht rrjedhat.
Ajo gjithashtu mund të ulë prodhimin e naftës në përgjigje të një kufiri të çmimit perëndimor.
SBF dhe dimër i keq për kriptovalutat
Ishte një vit shumë i keq për kriptovalutat.
Vlera e Bitcoin ra me më shumë se 64 për qind në vitin 2022 pasi FED-i rriti normat e interesit dhe investitorët nuk ndërmorën hapa të guximshëm.
Bota e kriptovalutave u trondit gjithashtu vitin e kaluar shkaku i falimentimit të këmbimores FTX dhe arrestimit të themeluesit të saj, Sam Bankman-Fried – tetë akuza penale, përfshirë mashtrim dhe komplot.
Elon Musk ka humbur pasuri më shumë se kushdo tjetër në histori
Elon Musk mund të shtojë një tjetër rekord në listën e tij të arritjeve: Themelues, CEO, njeriu më i pasur në botë, mikpritës i SNL dhe tani… personi i parë që ka humbur 200 miliardë dollarë pasuri, sipas një raporti të Bloomberg.
Por mos qani akoma për Muskun. CEO i Tesla, SpaceX dhe Twitter tani vlerësohet se peshon rreth 137 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg. Kjo e vendos atë të dytin në listën e më të pasurve në botë pas pronarit të LVMH, Bernard Arnault. Por në kulmin e saj në nëntor 2021, pasuria neto e Muskit ishte 340 miliardë dollarë.
Kjo rënie është kryesisht për shkak se pjesa më e madhe e pasurisë së Muskit është e lidhur me Teslan, aksionet e së cilës ranë 65 për qind në vitin 2022.
Kërkesat për veturat e Teslas u zvogëluan pasi kompanitë e tjera rritën numrin e prodhimit të automjeteve elektrike. Kompania humbi objektivin e rritjes dhe zvogëloi prodhimin në Kinë. Dërgesat e saj në tremujorin e katërt, të njoftuara të hënën, kanë pësuar humbje.
Blerja e Twitterit prej 44 miliardë dollarësh dhe as aksionet e Tesla-s, nuk e kanë ndihmuar Muskun. Ky i fundit, si aksioneri më i madh i Teslas, ka shitur 23 miliardë dollarë aksione të Teslas që kur shfaqi interesim për blerjen e Twitterit në muajin prill.
Pesë arsye për të qenë optimistë i kujdesshëm për vitin 2023
Nuk është gjithçka fatkeqësi dhe errësirë. Në fund të fundit, ne nuk jemi ende në një recesion.
1. Punësimi mbetet çuditërisht elastik. Ekonomia amerikane shtoi 263 mijë vende pune në muajin nëntor, dhe shkalla e papunësisë është vetëm 3.7 për qind – duke rënë në mënyrë dramatike nga gati 15 për qind që ishte gjatë pranverës së vitit 2020.
2. Kostoja e jetesës është ende shumë e lartë, por shkalla e inflacionit duket se ka arritur kulmin. Çmimet e konsumit u rritën me 7.1 për qind nga viti në vit në muajin nëntor, duke shënuar muajin e pestë radhazi të përmirësimit dhe një ftohje të ndjeshme nga 9.1 për qind në muajin qershor. Është gjithashtu norma më e ulët e inflacionit vjetor në gati një vit.
3. Pas rritjes mbi 5 dollarë për gallon për herë të parë në qershor, çmimet e gazit kanë rënë. Mesatarja kombëtare për benzinë e zakonshme kohët e fundit ra në 3,10 dollarë për gallon, një nivel më i ulët në 18 muaj, megjithëse është rritur ditët e fundit në rreth 3,22 dollarë për gallon.
4. Pagat reale janë rritur më shpejt se çmimet e konsumit, një ndryshim i rëndësishëm që mund t’u japë konsumatorëve fuqi për të vazhduar shpenzimet.
5. Zyrtarët e FED-it kanë sinjalizuar se mund të jenë gati të ndalojnë fushatën e tyre për luftën kundër inflacionit në fund të dimrit ose në fillim të pranverës. /Telegrafi/