Dimër me fat deri tash për rrethanat elektroenergjetike të Kosovës

Sipas të dhënave zyrtare të KEK-ut, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës së hershme, Kosova kishte deponuar një sasi jo të vogël të energjisë elektrike në KESH, ose diku rreth 150 mijë megavatë-orë. Dhe ky deponim tani po dëshmohet si tejet efektiv, ndërsa kthimi i borxhit nga Shqipëria po del të jetë më se i mirëseardhur për të funksionalizuar sa më efektshëm sistemin elektroenergjetik të Kosovës, duke e bërë të mundshme që t’i iket maksimalisht importeve të shtrenjta të rrymës gjatë këtyre ditëve me konsum të rritur.

Buletini Ekonomik

Të reshurat e dendura të shirave gjatë gjysmës së dytë të nëntorit dhe në pjesën së parë të dhjetorit të vitit të kaluar, ishin me fat për sistemet elektroenergjetike të Shqipërisë dhe të Kosovës. U mbushën shpejt në këtë periudhë akumulimet e zbrazëta thuaja të hidrocentraleve të mëdha të Shqipërisë (ato të Kaskadës së Drinit-Hidrocentralit të Fierzës, Komanit dhe të Vaut të Dejës), por edhe të shumë hidrocentraleve të tjera më të vogla dhe dhjetëra minihidrocentalevetë tjera anembanë Shqipërisë.

Në këtë mënyrë u krijuan kushtet optimale për të prodhuar me fuqi të plotë të gjitha këto hidrokapacitete, dhe sasia e prodhuar pas mbushjes së akumulimeve me ujë, jo vetëm që mjaftoi për të furnizuar pa reduktime konsumin e Shqipërisë, por pati energji goxha në sasi të madhe për të eksportuar dhe për t’ia kthyer borxhin e rrymës edhe Kosovës, borxh ky i cili ishte akumuluar gjatë muajve të verës, kur Kosova kishte mjaft energji për nevojat e veta, ndërsa tepricat ia huazonte Shqipërisë, që gjatë verës ndiente pasojat e mungesës së ujërave të bollshme.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave zyrtare të KEK-ut, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës së hershme, Kosova kishte deponuar një sasi jo të vogël të energjisë elektrike në KESH, ose diku rreth 150 mijë megavatë-orë. Dhe ky deponim tani po dëshmohet si tejet efektiv, ndërsa kthimi i borxhit nga Shqipëria po del të jetë më se i mirëseardhur për të funksionalizuar sa më efektshëm sistemin elektroenergjetik të Kosovës, duke e bërë të mundshme që t’i iket maksimalisht importeve të shtrenjta të rrymës gjatë këtyre ditëve me konsum të rritur. Në këtë mënyrë, Kosova, praktikisht, qëkur ka nisur të ftohet moti, që i bie që nga fundi i nëntorit dhe gjatë tërë dhejtorit të vitit që sapo e lamë pas dhe në dhjetë ditëshin e parë të këtij viti, ka marrë në formë kthimi të borxhit mesatarisht 150-200 megavatë-orë, ose brenda 24 orëve nga 1800 deri në 2000 mijë egavatë orë. Kjo sasi ishte ndihmesë e madhe për KEK-un, i cili me prodhimin goxha stabil të termocentraleve të stërvjetëruara dhe pa ndonjë ndërprerje për shkaqe teknike dhe me prodhimin tashmë të shtuar edhe nga impiantet e energjisë së rinovueshme të Kosovës, ka arritur që t’i ofrojë KEDS-it, në të shumtën e kohës dhe të ditëve të deritashme të këtij dimri, thuaja sasinë e nevojshme për nevojat e konsumit të rritur.

Sipas të dhënave të zyrtarëve të KEDS-it, tani konsumi mesatar gjatë ditës në Kosovë është diku te 900-950 megavatëshi, ndërsa në orët e pikut, shpenzimi i rrymës në vendin tonë në ditë të caktuara ka shkuar edhe në 1.150-1.200 megavatë-orë. Pak a shumë, kjo është edhe sot gjendja elektroenergjetike në Kosovë.

KEK-u me prodhimin e dy njësive të termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2) dhe dy blloqe të Kosovës A (A3 dhe A4) bashkarisht, edhe sot ka prodhuar diku rreth 780 megavat-orë energji elektrike, plus një sasi goxha imponuese, ose rreth 100 megavatë-orë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës), si dhe sasia e marrë si kthim borxhi nga KESH-i prej 1800-2000 megavatësh brenda 24 orësh, të cilat po mjaftojnë përafërsisht për të përmbushur edhe nevojat e rritura të konsumit në nivel vendi.

Me fjalë të tjera, me këtë sasi të rrymës që në këtë mënyrë e ka në dispozicion KEDS-i, kompania për distribuimin e energjisë elektrike në vend, tash për tash dhe me këtë nivel të konsumit, fare pak ka nevojë për të importuar energji elektrike.

Sot, duke i bërë disa parashikime për furnizimin me energji elektrike deri në mes të marsit, edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar faktin se Kosova po e shfrytëzon rrymën e deponuar në Shqipëri, gjatë këtyre ditëve me konsum evident të rritur. Sipas saj, i kemi edhe 70 gigavatë (ose 70 herë nga 1.000 barazi me 70 mijë), që i bie se në KESH kanë mbetur diku edhe rreth 70 mijë megavatë-orë.

“Gjatë kësaj periudhe jemi duke e shfrytëzuar edhe energjinë e deponuar në Shqipëri. Shfrytëzimi i energjisë nga Shqipëria ka shkuar shumë mirë gjatë javëve të kaluara. Aty i kemi të deponuara edhe rreth 70 gigavatë orë”, tha ministrja.

Megjithatë, ministrja Rizvanolli tha sot se kanë paraparë se mund të nevojitet importimi i deri në 300 gigavatëve energji elektrike.

“Ne në fund të vitit që shkoi, gjithashtu kemi marrë edhe një vendim që ta autorizojmë KEK-un që në rast nevoje të mos përmbushjes së kërkesave për energji elektrike në vend, të importojë deri në 385 gigavatë shtesë sipas nevojës dhe në bazë të analizave të ekspertëve. Deri tani, për fat nuk ka pasur nevojë që kjo të ndodh. Sido që të jetë, të gjitha situatat janë marrë që në rast të përkeqësimit të situatës, të sigurohet siguria e furnizimit”, shtoi ajo.

Çështja e importimit të energjisë elektrike, Rizvanolli tha se varet “nga ajo se sa konsumojmë dhe sa kursejmë”.

“Nga ana tjetër, varet shumë edhe nga ajo se sa Shqipëria do të jetë në gjendje të na ofrojë energji, varësisht nga situata atje dhe kërkesa atje për energji elektrike”, theksoi ajo.

Mirëpo, po e përsërisim për të satën herë se nëse vazhdon të rritet më shumë konsumi, siç pritet realisht të ndodhë me ardhjen e ditëve të acarta dhe të dimrit të vërtetë, do të ketë mungesë të energjisë elektrike doemos. Prandaj, kursimi i rrymës dhe ulja e shpenzimit janë kushtimisht të domosdoshme dhe alternativat që na presin sa i përket sigurimit të energjisë elektrike të munguar. Kosova nuk ka zgjidhje tjetër në ditët e akullta, pos reduktimeve të kushtëzuara, kursimit të domosdoshëm të gjithsecilit konsumator, ose importit me kosto të lartë dhe thuaja të papërballueshëm për Kosovën e varfër dhe me mungesë parash. Natyrisht, duhet të vazhdojmë të shpresojmë në mot të mirë, por edhe në pasjen e ujërave të bollshme në akumulimet e hidrocentraleve shqiptare. Ndryshe, duhet të llogaritim se a kemi para të mjaftueshme për të importuar energji të shtrenjtë. /Buletini Ekonomik/