Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka prezantuar të arriturat e Doganës gjatë vitit 2022.
Ai tha se gjatë vitit 2022 Dogana e Kosovës ka pasur rritje të të hyrave dhe se Turqia është vendi që Kosova ka importin më të madh, duke shtuar se importi nga Serbia ka arritur vlerën e 370 milionë euro.
“Performanca e të hyrave varet nga shumë faktor, natyrisht që është edhe inflacioni. Turqia është dukshëm vendi që importojmë më shumë. Sa i përket importit nga Serbia mbi kemi pasur 370 milionë euro”, tha ai.
Ai shtoi se gjatë vitit 2022 Dogana ka mbledhur 1 miliard e 531 milionë euro, importi ka arritur vlerën e mbi 5 miliardë eurove dhe eksporti mbi 869 milionë euro.
“Gjatë këtij viti kemi pasur 11 mijë e 157 aktivitete, te sekuestrimi i mallrave kemi 11.3 milionë euro, vendimet për inkasim me 4.5 milionë euro. Zbulimi i mallrave të ndaluara gjatë vitit 2022 nga zyrtarët doganor janë zbuluar 83.6 kilogram heroinë. Gjatë këtij viti kemi pasur lehtësia tregtare, me fillimin e zhdoganimit të plotë në Portin e Durrësit dhe Porto Romano”.
“Të gjitha këto arritje janë konfirmuara edhe nga institucionet e tjera qe vlerësojnë Doganën e Kosovës. Kemi vërejtur që besueshmëria ndaj Doganës gjatë vitit të kaluar është rritur. Gjatë vitit 2022 importi ka arritur vlerën 5.603 miliardë euro ndërsa eksporti 869.5 milionë euro”.
Drejtori i Doganës tha se gjatë barrikadave në veri doganierët kanë qëndruar me Policinë e Kosovës.
“Në fakt zyrtarët tonë doganorë kanë dashur që të qëndrojnë me Policinë, kemi pasur kushte të konsoliduar. Zyrtarët doganorë kanë qëndruar me Policinë e Kosovës”. /EO/