Ford do të shkurtojë deri në 3 mijë e 200 vende pune në Europë

Ford Motor Co (F.N) synon të shkurtojë deri në 3.200 vende pune në Europë dhe të zhvendosë disa prej aktiviteteve të zhvillimit të produkteve në SHBA, deklaroi të hënën, sindikata gjermane IG Metall, duke u zotuar të ndërmarrë veprime, nëse shkurtimet do të vijojnë, gjë që do të nxisë ndërprerjen e aktivitetit të shtëpisë automobilistike në të gjithë kontinentin.

Rritja e kostove të materialeve për bateritë e makinave elektrike dhe ngadalësimi i parashikuar i ekonomisë amerikane dhe europiane po ushtron presion te shtëpitë automobilistike, që të shkurtojnë shpenzimet.

Sipas analistëve, lufta e çmimeve të makinave elektrike, e nisur nga Tesla në fillim të muajit, po e rrit këtë presion.

Reklama e sponzorizuar

Kompania synon të shkurtojë deri në 2.500 vende pune në zhvillimin e produkteve dhe deri në 700 në rolet administrative, ku fabrikat në Gjermani do të jenë më të prekurat, deklaroi IG Metall.

Punonjësit e fabrikës në Këln të shtëpisë automobilistike amerikane, e cila punëson rreth 14 mijë persona – nga të cilët 3.800 në një qendër zhvillimi në zonën e Merkenich, u informuan për planin gjatë mbledhjes së këshillit të fabrikës të hënën.

Zëdhënësi i Ford në Gjermani refuzoi të komentojë, duke iu referuar një deklarate të premten, ku thuhet se kalimi te prodhimi i makinave elektrike kërkon ndryshime strukturore dhe nuk do të thoshte më shumë derisa planet të finalizohen.

Një zëdhënës në selinë qendrore të shtëpisë automobilistike në Miçigan deklaroi se diskutimet me këshillin e fabrikave gjermane do të vijojnë dhe se kompania duhet të jetë “më konkurruese” në kalimin drejt makinave elektrike. Ai nuk pranoi të komentojë mbi planet speficike të punësimit.

Vitin e kaluar, Ford njoftoi investimin 2 miliardë dollarë për të zgjeruar prodhimin në fabrikën e Këlnit dhe realizimin e një modeli tërësisht elektrik për tregun në masë. Fabrika prodhon aktualisht Ford Fiesta, motorë dhe transmisione.

Shtëpia automobilistike, e cila punëson rreth 45 mijë persona në Europë, po projekton shtatë modele të reja elektrike në rajon, një fabrikë për montimin e baterive në Gjermani dhe një “joint venture” (sipërmarrje të përbashkët) për prodhimin e qelizave me nikel në Turqi, si pjesë e një nxitje të madhe të makinave elektrike në kontinent.

Kompania ka nënshkruar një marrëveshje me Volkwagen për prodhimin e 1.2 milionë automjeteve në platformën elektrike MEB të shtëpisë automobilistike gjermane në harkun e gjashtë viteve.

Përfaqësuesit e Ford dhe Volkswagen deklaruan se kjo marrëveshje mbetet në fuqi, edhe pse zëdhënësi i Ford në Shtetet e Bashkuara shtoi se roli i Volkswagen në gjeneratën e ardhshme të makinave elektrike europiane të Ford mbetet për t’u përcaktuar. /Reuters/