Bateritë me hekur-ajër u zhvilluan nga Form Energy, një startup i krijuar nga Instituti prestigjioz i Teknologjisë në Massachusetts (MIT).
Bateritë e Form Energy, sipas mediave amerikane, janë dhjetë herë më të lira se bateritë e litiumit dhe përdorin hekur, i cili është i bollshëm në të gjithë botën. Në të njëjtën kohë, bateritë hekur-ajër mund të zgjasin më shumë se bateritë e litiumit dhe janë gjithashtu më të sigurta, pasi nuk janë shumë të ndezshme.
E vetmja pengesë e vërejtur deri më tani është se këto bateri janë të ngadalta për t’u ngarkuar ose shkarkuar, duke i bërë ato një opsion më pak të zbatueshëm se litiumi në laptopë ose smartfonë, për shembull. Nga ana tjetër, ato janë një zgjidhje e shkëlqyer për ruajtjen e energjisë në nivelin e rrjetit kombëtar, pasi ato mund të sigurojnë 100 orë kohëzgjatje të ruajtjes së energjisë, shumë më gjatë se bateritë e litiumit, të cilat zgjasin deri në gjashtë orë. Në këtë mënyrë, ato mund të lehtësojnë integrimin e parqeve diellore në shkallë të gjerë dhe fermave me erë.
Këto bateri nuk janë perfekte, por prodhimi i tyre, njëlloj si prodhimi i baterive prej alumini-squfuri, vanadiumi, ose bateritë me jon natriumi, është shumë më pak i dëmshëm për mjedisin sesa prodhimi i baterive të litiumit. Gjithashtu, ulja e kërkesës për litium do të lehtësonte presionin mbi zinxhirin e furnizimit, dhe ndoshta edhe vende të tëra, si Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për të miratuar projektet e nxjerrjes së litiumit pavarësisht nga dëmtimi i dukshëm mjedisor.
Form Energy zgjodhi së fundmi një vend për fabrikën e saj të parë, në Virxhinia Perëndimore, dhe njoftoi se punimet do të fillojnë këtë vit. Investimi vlerësohet në 760 milionë dollarë, ku shteti ka caktuar një paketë stimulimi financiar me vlerë deri në 290 milionë dollarë për të bindur Form Energy të zgjedhë vendin.
Autoriteti i Zhvillimit Ekonomik të Virxhinias Perëndimore ka ndarë tashmë 75 milionë USD për blerjen e tokës dhe ndërtimin e fabrikës.
Më parë, investitorët privatë e kishin njohur projektin si premtues. Në tetor 2022, Form Energy mblodhi 450 milionë dollarë, duke e rritur buxhetin e saj në 800 milionë dollarë.
Investitorët përfshijnë Breakthrough Energy Ventures të Bill Gates dhe gjigantin e çelikut ArcelorMittal.
Si funksionojnë bateritë hekur-ajër
Impianti pilot i Form Energy, me një kapacitet 1 MW/150 MWh, do të vihet në funksion këtë vit në bashkëpunim me prodhuesin e energjisë Great River Energy, ndërsa bisedimet janë duke u zhvilluar me Georgia Power për një bateri 15 MW/1,500 MWh.
Një bateri hekur-ajër, sipas mediave amerikane, është sa madhësia e një lavatriçeje ose e një pjatalarëse dhe përmban 50 qeliza të rrethuara nga një elektrolit. Ngarkimi dhe shkarkimi bazohet në ndryshkjen.
Kur shkarkon ose jep energji, një bateri përdor oksigjen nga ajri për ta kthyer hekurin në oksid hekuri (ndryshk), ndërsa një proces i kundërt përdoret kur bateria është duke u ngarkuar (ndryshku kthehet në hekur, me çlirimin e oksigjenit)./SCAN TV/