Komuna e Prishtinës anulon konkursin për anëtarë bordi të Stacionit të Autobusëve

Komuna e Prishtinës ka anuluar konkursin për zgjedhjen e 4 anëtarëve të bordit të përhershëm të shpallur më 14 nëntor 2022 për ndërmarrjen lokale ‘Stacioni i Autobusëve’.

Kështu është vendosur nga komisioni komunal i aksionarëve në mbledhjen e mbajtur më 23 janar.

Sipas komunës, anulimi i konkursit u bë pas ngjarjeve të fundit të ndodhura gjatë procesit të shqyrtimit të dokumentacionit të aplikantëve, që kanë rezultuar me mungesë të disa dokumenteve të aplikantëve.

Reklama e sponzorizuar

Komuna në njoftim potencon se këto ngjarje po hetohen edhe nga policia e Kosovës.

Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës udhëzoi Komisionin Komunal të Aksionarëve për rishpallje të këtij konkursi në afat prej 15 ditësh.

“Anulimi i konkursit është mbështetur kryesisht nga takimet tona të përbashkëta si Komision Komunal i Aksinorëve, ngjarjet e fundit të ndodhura gjatë procesit të shqyrtimit të dokumentacionit të aplikantëve, ngjarje këto që kanë rezultuar me mungesë të disa dokumenteve të aplikantëve, të cilat ngjarje janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës. Ky vendim mbështetet në opinionin nga Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës e cila në këto rrethana udhëzon Komisionin Komunal të Aksionarëve për rishpallje të konkursit të hapur në afat prej 15 ditësh kalendarike në kanalet publike”- thuhet në vendimin e Komunës.