Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të sqarojë lidhur me raportimet e mediave sllovene se ka përfituar miliona euro nga kompania “GEN” për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtari i LDK-së, Xhafer Tahiri ka thënë se LDK-ja shpreh shqetësimin e saj për raportimin e vazhdueshëm të mediave në Slloveni për aferën milionëshe ku sipas tij janë të përfshirë kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj.
Ai ka thënë se hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania “GEN” e me të cilat sipas tij, është financuar edhe fushata e Albin Kurtit.
“LDK-ja kërkon që këto dyshime shqetësuese që rëndojnë imazhin e Kurtit, të adresohen nga Qeveria”, ka thënë ai.
Ndërkaq anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë se mungesa e materialeve për pasaporta ka bërë që të ketë pasoja për vendin.
Ai në një konferencë për media ka shtuar se mungesa e këtyre pasaportave u shkakton shumë telashe qytetarëve të vendit.
Sipas tij, mungesa e pasaportave u ka shkaktuar telashe edhe mërgimtareve.
“Kjo Qeveri nuk arrin që 6 muaj që ta emërojë një drejtor të Policisë. Kemi të bëjmë me një dëshmi për paaftësinë e këtij pushteti. Ne kemi të drejtë ta thërrasim Qeverinë e Kosovës në transparencë dhe sqarim që të na shpjegojë pse po ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin e Berishajt ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, të hënën. Ajo ka thënë se kryeministri Albin Kurti “e ka një zor të madh që po e mban Martin Berishajn”.
“Martin Berishaj vazhdon të jetë ambasador, përkundër skandaleve të publikuara në mediat sllovene. Kryeministri, në këto rrethana pa një zor të madh nuk e mban në detyrë Martinin”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Në prill të vitit të kaluar emri i ambasadorit Martin Berishaj ishte përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë.
Ai u përfol se ishte pjesë e skandalit financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat e këtij vendi raportuan se ai kishte bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te një politikan slloven. /koha.net/