Me Ligjin e ri për Parqet Industriale, ministria e Industrisë do t`i menaxhojë këto zona nëpërmjet operatorëve ekonomik. Kështu ka bërë të ditur ministrja Rozeta Hajdari, në një intervistë në emisionin “Ekonomiks” në RTK. Ndër të tjera ajo ka theksuar se strategjia për zhvillimin e industrisë 2030, do të orientojë investimet drejt prodhimit.
Investitorët e huaj dhe ata vendor, vazhdimisht kërkojnë tokë dhe infrastrukturë në zonat industriale, për të investuar në vendin tonë. Por në jo pak raste, ata, ankohen për burokraci të tepërt dhe menaxhim jo të mirë të tyre. Se kjo e fundit po ndodh dhe po ju pengon investitorëve, e pranon edhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari. Ajo thotë se me Ligjin e ri për zonat industriale, ministria e Industrisë do t’i menaxhojë këto zona nëpërmjet operatorëve ekonomik.
“Ajo që është e rëndësishme për Ligjin për Parqet Industriale është se investitorët përveç se do të kenë lehtësira për marrjen e tokës, do të kenë mundësi që objektin që do ta ndërtojnë si fabrikë ta vendosin si kolateral apo hipotekë në bankë. Pra, do të ketë më shumë qartësi. Kemi pasur një Ligj të Investimeve Strategjike ku kanë munguar disa kritere. Ato kanë qenë në fillim në udhëzimet administrative por pastaj janë hequr. Si qeveri kur kemi ardhur i kemi gjetur këto kritere të larguara. Tani në Ligjin e ri të Investimeve e kemi një qartësi dhe një qasje të unifikuar të bazuar në parimet ndërkombëtare”, theksoi ministrja Hajdari.
Ajo ka thënë se Ligji për Investime të Qëndrueshme synon të sjellë një trajtim më të mirë për investitorët.
“Ky ligj synon të sjellë një barazi dhe ofrime shtesë për investitorët, por edhe mbrojtje të tyre duke u bazuar edhe në parimet më të mira të Bashkimit Evropian. Ligji po ashtu sjell funksionet shtesë se si të përkrahim më shumë investitorin dhe t’i ketë procedurat më të thjeshta burokratike dhe po ashtu e trajton procedurën më të shpejtë për të investuar në Kosovës, qoftë negocimin e tokës apo marrjen e licencave”, shtoi ajo.
Sipas ministres Hajdari zonat ekonomike të tanishme nuk kanë ndihmuar shumë në rritjen ekonomike dhe nuk kanë qenë të konsoliduara ashtu siç është pritur.
“Me Ligjin për Parqet Industriale parashihet bashkëpunimi më i afërt edhe me Ligjin për Investimet Strategjike dhe bashkëpunimi me komunat, ku MINT do t’i menaxhojë parqet industriale përmes operatorëve ekonomik të cilët do të jenë konsulencë apo një operator që ka përvojë në menaxhimin e zonave ekonomike. Studimi i ‘German Economic Team’ tregon se nuk ka pasur menaxhim të mirëfilltë të zonave ekonomike dhe ato kanë qenë të krijuara në formë ‘ad-hoc’. Më shumë ka pasur ndërtim të infrastrukturës se sa ofrim të shërbimeve për investitorët dhe ata shpesh kanë mbetur derë më derë në ministri apo komuna të ndryshme”, tha ajo.
Ministrja Hajdari thotë se për herë të parë kanë hartuar edhe strategjinë për zhvillimin e industrive 2030, e cila do t’i orientojë investimet drejte prodhimit.
“Kur kemi ardhur në qeveri kemi parë se kjo ministri nuk ka pasur një strategji të industrisë e që në politikën industriale është hapi i parë që e orienton investitorin se në cilin sektorë ka potencial më shumë. Dhe në strategjinë që e kemi hartuar gjatë vitit 2022 e kemi kuptuar se Kosova e ka kompetencën e prodhimit në sektorët për industrinë metalike, atë jometalike, industrinë e drurit, pastaj të tekstilit, të lëkurës, të gomës etj. Prodhuesit tanë mund të rrisin prodhimin por janë sfidat për avancim të teknologjisë, të certifikimit dhe të standardizimit ato që pengojnë shtrirjen në tregjet ndërkombëtare. Nganjëherë prodhuesit tanë e kanë produktin shumë kualitativ por nuk e kanë certifikimi,n derisa kontaktohen prej vet investitorit nga Evropa”, nënvizoi ministrja.
Hajdari theksoi po ashtu se vendi është afër finalizimit së marrëveshjes për tregti të lirë me vendet e EFTA-s, të cilat janë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, marrëveshje e cila do të rrisë investimet dhe tregtinë me këto vende.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni sonte nga ora 21 e 45 në RTK1.