MINT: Në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 11 mijë e 51 biznese

Viti 2023 ka nisur mbarë për sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja në Kosovë sipas Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, përderisa viti i kaluar konsiderohet me numrin më të madh të regjistrimit të bizneseve që nga pavarësia e këndej.

E numri i atyre bizneseve që janë shuar sipas AKB-së, nuk po konsiderohet real. në anën tjetër ATK  bëri të ditur se në vitin 2022 mbi 57 mijë biznese kanë paguar tatim në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm gjatë janarit të vitit 2022, në Kosovë janë regjistruar 313 biznese të reja, ndërsa janë shuar 38 sosh. Në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë thuhet se në vitin 2022 janë regjistruar gjithsejtë 11 mijë e 51 biznese e janë shuar 1 mijë 775. Sipas përgjigjes gjatë vitit 2022 dhe 2023, nuk ka pasur biznese pasive.

Por sipas një studimi të Aleancës Kosovare të Bizneseve, mbi trendin e ndërmarrësisë  për tri vitet e kaluara, vitin më të rëndë të pandemisë janë mbyllur më shumë se 20 mijë biznese.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se viti 2022 ishte më i mirë për sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja në vend që nga paslufta. Por ai thotë se në listën e bizneseve figurojnë edhe ato biznese të cilat nuk janë aktive por që për shkak të procedurave nuk e kanë shuar ende biznesin.

“Ky vit është shumë më i mirë se viti 2020. Është vit ku më së shumti kemi pasur biznese të hapura që nga pavarësia e këndej. Por sipas analizave tona ka disa studime dhe hulumtime të bëra se numri i bizneseve të shuara është më i lartë se sa figuron. Ka më shumë se 3mijë e 500 biznese  të shuara në tërë Kosovën, nga sektorë të ndryshëm e që ata nuk kanë hyrë në procedura të shuarjes së biznesit në mënyrë zyrtare për shkak se proceduarat janë të stërzgjatu”, tha ai.

E numri i bizneseve që janë mbyllur po konsiderohet së është i lartë. Njohësi i fushës së ekonomisë, Safet Gerxhaliu, tha për Radio Kosovën se institucionet e vendit duhet marrë masa për të ndihmuar biznesin nga kriza, në mënyrë që të mos mbyllen.

“Vërtet kemi një situatë e cila meriton respekt por është edhe obligim që të shpëtohen biznese të cilat kanë sfida. Në vitin 2023 besoj të ketë më tepër dialog e kampanja vetëdijesuese dhe nuk do të shikohet biznesi për t’u penalizuar por për t’u mbështetur dhe zhvilluar”, tha ai.

E  Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur për Radio Kosovën se 57 mijë e 480 është numri i bizneseve të cilët kanë paguar tatim për vitin 2022.