Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu përmes një postimi në Facebook ka thënë se është miratuar Udhëzimi Administrativ për Kontrollimin Teknik të Automjeteve, dhe se siç thotë ai, përmes këtij Udhëzimi janë përcaktuar kushtet që duhet të plotësohen nga subjektet për kryerjen e kontrollimit teknik të automjeteve dhe procedurave tjera në përgjithësi.
“Gjatë kontrollimit teknik të automjetit do të bëhet monitorimi me video kamerë nga Ministria apo subjekti i autorizuar, me ç’rast do të sigurohen pamje nga fillimi i procedurës deri në përfundim të kontrollimit teknik të automjeteve, me qëllim të monitorimit të rezultateve të matjeve të automjeteve me linjë teknologjike”, tha Aliu.
Sipas tij, do të përdoren pajisje për matjen e gazrave serrë dhe matjen e komponentëve të paqëndrueshme organike në automjete, në mënyrë që të reduktohet emitimi i dioksidit të karbonit dhe ndotjes së ajrit duke kontribuar kështu në mbrojtje të shëndetit publik dhe përmbushjes së objektivave klimatike.
Ministri Aliu thotë se viti 2023 do të shënojë një kthese të rëndësishme e të dobishme për digjitalizimin e shërbimeve elektronike për infrastrukturë.