Nafta Brent humb rreth 2 dollarë – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës në SHBA

Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm europian, por gjatë sesionit të kaluar amerikan humbi rreth 2.3% të vlerës, për shkak të shqetësimeve për ngadalësimin e kërkesës në ekonominë më të madhe në botë.

Megjithatë, humbjet u kufizuan nga shpresat se kërkesa do të rimëkëmbet ndjeshëm në Kinë, pas vendimit të autoriteteve për të lehtësuar masat kundër Covid-19 për herë të parë që kur filloi pandemia.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 86 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 2 dollarë. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 80 dollarë për fuçi, pas rënies me rreth 1.8% në sesionin e kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Shqetësimet që kanë të bëjnë me ekonominë amerikane u konfirmuan nga të dhënat mbi rezervat e naftës në SHBA, që treguan një rritje më të madhe se parashikimet e analistëve, gjatë javës së kaluar. Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës rezervat e naftës bruto u rritën me 3.4 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 20 janar. Analistët parashikonin një rritje me rreth 1 milionë fuçi. Megjithatë, analistët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë./Scan tv/