“Në lagjen “Marigona Hill” për 200 metra katrorë tatimi në pronë 108 euro, në Tophane 415 euro”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka lëshuar kritika të forta ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, teksa ky i fundit po raportonte para deputetëve për rritjen e tatimit në pronë.

Sipas tij, me mënyrën se si është bërë vlerësimi i pronave, i bie që shteti po i mbron milionerët.

“Në lagjen “Marigona Hill”, nëse e ki një banesë 200 metra katrorë, ki me pagu 108 euro tatim. Në lagjen Tophane, ki me pagu hiq më pak se 415 euro për të njëjtën banesë. Domethënë, milionerat që po i quajmë ne, janë duke pagu 100 euro, e këta banorët e Tophanes janë duke pagu 500 euro. Ky është problemi. Ky është gabimi. Na e kemi përgjegjësi me ndryshu këtë, pra me inicu me ndryshu ligjin”, ka thënë Rrahmani duke iu drejtuar ministrit Murati.

Reklama e sponzorizuar

Zonimi në mënyrën se si është bërë, sipas Rrahmanit, është i gabueshëm dhe për t’u bërë siç duhet, atëherë kjo kërkon bashkëpunim mes komunave, Kuvendit dhe Qeverisë.

Ndryshe, tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Normat tatimore vendosen nga komunat përkatëse. Kjo normë është 0.15 për qind të vlerës se përgjithshme të pronës.

Rritja e vlerësimit të pronave në treg, ka rritur automatikisht pagesën e tatimit në pronë për qytetarët e Kosovës. Për disa, tatimi vjetor në pronë është rritur deri në 100 për qind, e për disa të tjerë, ajo ka mbetur e pandryshuar, sepse vlera e pronës ka mbetur e njëjtë si në të kaluarën. /Buletini Ekonomik/