Zyrtarë të KEK-ut kanë njoftuar sot Buletinin Ekonomik se punëkryesi i përzgjedhur Monting Energjetika, një kompani vendore e verifikuar së bashku me punonjës dhe ekspertë të General Electric-ut të mirënjohur dhe CERB-it nga Bullgaria dhe disa kontraktorë të tjerë, ka nisur me punët për remontin kapital të këtij blloku saktësisht më 5 janar. Të gjitha punët rreth remontit kapital në bllokun A5, janë planifikuar të zgjasin diku rreth 90 ditë dhe për kaq kohë, kjo njësi e prodhimit të energjisë elektrike do të jetë jashtë funksionit prodhues.
Buletini Ekonomik
Më në fund, pas një pritjeje të gjatë, të mëdyshjeve, dilemave dhe përpjekjeve për të gjetur një punëkryes serioz, të dëshmuar dhe me përvojë të imponueshme, në bllokun A5 të Kosovës A, kanë nisur punët për remontin kapital të këtij termocentrali. Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK, i ka thënë Buletinit Ekonomik se për remontin kapital të njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociatave me disa operatorë të kualifikuar ndërkombëtar (për remont të turbinës, gjeneratorit dhe të kalldajës së kësaj njësie). Negociatat për LOT-in 1, ose për remontin kapital të turbinës dhe gjeneratorit, kanë përfunduar që në fillim të dhjetorit, ndërsa kontrata me punëkryesin është nënshkruar më 5 dhjetor 2022 dhe në bazë të kësaj kontrate, operatori tashmë ka filluar punët brenda afatit të paraparë dhe ky afat është gjysma e parë e janarit 2023.
Sipas zyrtarit për informim të KEK-ut, edhe remonti emergjent kapital i kalldasë pritet të përfundojë brenda afatit të kryerjes së remontit kapital të turbinës dhe gjeneratorit, ose brenda 90 ditëve nga dita e fillimit të punimeve. Zyrtarë të KEK-ut kanë njoftuar sot Buletinin Ekonomik se punëkryesi i përzgjedhur Monting Energjetika, një kompani vendore e verifikuar së bashku me punonjës dhe ekspertë të General Electric-ut të mirënjohur dhe CERB-it nga Bullgaria dhe disa kontraktorë të tjerë, ka nisur me punët për remontin kapital të këtij blloku saktësisht me 5 janar. Tani, fillimisht po bëhen çmontimet e domosdoshme, dhe po hulumtohen pajisjet dhe stabilimentet e dëmtuara për t’u siguruar me kohë ndërrimi i tyre për të vazhduar në ditët në vijim me punët më serioze rreth remontit kapital. Të gjitha punët rreth remontit kapital të A5-shit janë planifikuar të zgjasin diku rreth 90 ditë dhe për kaq kohë, kjo njësi e prodhimit të energjisë elektrike do të jetë jashtë funksionit prodhues.
Zhvillimet rreth remontit të këtij blloku dolën që në fillim (që më 19 korrik, kur A5 u tërhoq nga prodhimi me qëllim që të bëhet rehabilitimi i përgjithshëm i tij) më të ndërlikuara se sa mendoheshin, ndërkohë që insistimi në KEK për të gjetur një punëkryes serioz dhe të dëshmuar ndërkombëtar për ta bërë remontin kapital në A5, nuk ishte ai i duhuri. Është përfolur që në fillim se ka pasur edhe mosmarrëveshje evidente brenda stafit dhe organeve vendimmarrëse në KEK rreth rivitalizimit të kësaj njësie prodhuese.
Disa inxhinierë të Korpotatës Energjetike të Kosovës kanë insistuar që fillimisht të hapet blloku me forca vetanake, për të parë saktësisht ku është defekti dhe çka ka ekzaktësisht, pastaj të rehabilitohet, ndërkohë që ka dominuar me gjasë mendimi i të tjerëve se të gjitha punët (edhe hapjen e turbinës edhe kalldajës) t’i bëjë punëkryesi që do të angazohej në punët e remontit kapital. Dhe problemet lindën akoma pa ia nisur punëve.
Një kohë të gjatë, përkatësisht deri në muajin e fundit të 2022-tës, nuk u gjend një punëkryes ndërkombëtar që do të bënte këtë punë. Në këtë mënyrë, kjo njësi prodhuese, me kapacitet rreth 200 megavatë-orë energji elektrike në gjenerator dhe me fuqi në rrjet diku rreth 150 megavatë, është jashtë funksionit që nga 19 korriku i këtij viti. Remonti kapital, ai i përgjithshmi dhe që është më i detajuar dhe më kompleks, sipas ekspertëve të KEK-ut, zgjatë rreth 3 muaj.
Ndërsa, siç kishte deklaruar kohë më parë zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, “Procedurat për këtë kanë filluar qe sa muaj, por s’po gjendet kompani e “përgjegjshme” për të kryer remontin”. Kësisoj, në mungesë të energjisë elektrike të këtij blloku (në mënyrë konstante A5 –shi ka prodhuar së paku rreth 150 megavatë-orë energji elektrike), Kosova prodhoi minus së paku 150 megavatë-orë rrymë që nga korriku. Më konkretisht, po të futej në procesin e prodhimit blloku A5 i termocentraleve Kosova A, sipas parashikimeve të para të autoriteteve të KEK-ut, kjo njësi me goxha fuqi prodhuese (diku rreth 150 megavatë-orë në rrjet), kaherë do të ishte duke prodhuar dhe më së largu në fund të këtij viti, ndërsa sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të shtonte plus 150 megavatë-orë rrymë, ose prodhimi në termokapacitetet e vendit do të arrinte afër një mijë megavatëshit. Dhe dihet rëndësia e kësaj sasie të rrymës për konsumin e vendit, sidomos po t’i kishim tani në ditët e ftohta të dimrit, kur kërkesat për energji elektrike shtohen ndjeshëm.
Por, për të arritur rikthimin e A5-shit në punë ka qenë e domosdoshme të realizohet remonti kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të kësaj njësie prodhuese, i planifikuar të nisë gjatë muajve të verës, punë këto që që nuk u përmbyllën gjatë 2022-tës, dhe sapo ka filluar. Me remontin kapital të një blloku të termocentraleve nënkuptohet remonti dhe rehabilitimi i turbinës dhe i kazanit, si dhe i shumë stabilimenteve të tjera. Si i tillë, parashihet të zgjasë goxha kohë më shumë se sa remontet e planifikuara të rëndomta vjetore.
Siç u tha më lartë, te blloku A5, në bazë të planifikimeve të mëhershme që bëhen në KEK për mirëmbajtjen e stabilimenteve dhe për rehabilitimin e tyre, ishte paraparë të bëhet remonti kapital që në muajt e verës të vitit 2021. Mirëpo, meqenëse më 2021 Qeveria aktuale kishte shpërfaqur edhe publikisht synimin për t’i rindërtuar tërësisht tri blloqet e termocentraleve “Kosova A” (bllokun A3, A4 dhe A5), pas analizave të ekipeve profesioniste të KEK-ut dhe sugjerimeve të ekspertëve, që meqenëse është paraparë si vizion rindërtimi i Kosovës A, pra edhe i bllokut A5, ishte vendosur me qëllim të racionalizimit të mjeteve financiare, që A5-shi të presë rindërtimin. Ishte rezonuar atëbotë në qarqet vendimmarrëse të KEK-ut se pse të shpenzohen para jo të pakta për remont kapital të A5-shit, kur Qeveria ka parashikuar rindërtimin e tërësishëm të këtij blloku. Thjesht, pse të shpenzohen dy herë para të mëdha për një qëllim?
Dhe, meqenëse parashikimi i Qeverisë për të rindërtuar Kosovën A, më 2021 thuaja është harruar tashmë, edhe rindërtimi i A5-shit si vizion ishte anashkaluar si parashikim. Në KEK kushtimisht iu rikthyen nevojës së domosdoshme për ta bërë remontin kapital në këtë njësi prodhuese në vitin 2022. Aq më parë, kur në këtë bllok dëgjohej një zhurmë jo e rëndomtë dhe që shqetësonte ekspertët dhe inxhinierët e KEK-ut. Dhe që në fillim të verës së këtij viti, në KEK tani kishin shpallur tender publik për të gjetur punëkryesin më të favorshëm. Por, pse u vonua kaq shumë nisja e punëve për remontin e këtij blloku në këtë vit, kur Kosovës po i nevojitej tepër shumë sasia e energjisë elektrike dhe kur dihet se ky bllok është tërhequr nga prodhimi që më 19 korrik? Më konkretisht, pse nuk kanë filluar akoma punët për revitalizimin kapital të A5-shit, ndonëse ndodhemi në prag të vitit 2023 dhe muajve të ftohtë vijues? Pse këto vonesa, aq më parë kur dihet se puna me përmasa kaq komplekse të remontit kapital merr goxha kohë derisa të përmbyllet, përkatësisht për rivitalizimin kapital të një blloku nevojiten rëndom 3 deri në 4 muaj kohë!
Inxhinierët në KEK, edhe ata me përvojë më të paktë, por edhe veteranët tashmë, kanë shpjeguar për Buletinin Ekonomik shkaqet, sipas tyre, reale, për vonesat e nisjes së punëve për rivitalizimin e A5-shit. Sipas ekspertëve në KEK, tenderi publik për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor të këtij viti.
Në ftesën e korrigjuar publike për remontin e A5-shit, ku tenderi titullohej “Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të Bllokut A5”, ishin paraparë në një vend riparimi i turbinës dhe kalldajës (kazanit). Por, në këtë shpallje publike, praktikisht nuk është paraqitur asnjë pretendent për të bërë remontin kapital në A5-shit, sado që vlera e paraparë e tij ishte 6 milionë euro. Njohësit e zhvillimeve energjetike, mendojnë se mbase fakti që në ftesën publike janë kërkuar punëkryes që do të bënin remontin e tërësishëm të këtij blloku, pra edhe remontin e turbinës, edhe të kalldajës dhe të stabilimenteve të tjera më pak komplekse, ka ndikuar në mosinteresimin e punëkryesve për të shfaqur interesim për t’u angazhuar në këtë remont. Dihet, remonti kapital në stabilimentet e termocentraleve të Kosovës, si në Kosovën A, ashtu edhe në Kosovën B, iu është besuar deri më tash ekskluzivisht kompanive të jashtme, më së shumti atyre polake që kanë përvojë të madhe në stabilimentet prodhuese të rrymës në bazë të qymyrit, por edhe kompanive të tjera të shumta nga bota, që kanë reputacion, dëshmi dhe besueshmëri që punën e bëjnë siç duhet. Kështu, KEK-u në njëfarë mënyre edhe i kushtëzuar, më 8 korrik 2022, kishte njoftuar për anulimin e këtij tenderi, thjesht për shkakun se siç është thënë “për riparimin e njësisë A5 nuk është pranuar asnjë ofertë”. Dhe, për të shpejtuar gjetjen e një punëkryesi të besueshëm dhe të dëshmuar për remontin e detajuar të A5-shit, në shtator KEK-u ka ndarë punët, për remontin e turbinës kishte vendosur të kërkojë punëkryes të veçantë, ndërsa për remontin e kalldajës, punëkryes tjetër të specializuar. Dhe, për remontin e turbinës dhe kalldajës veç e veç ka dërguar nga 5-6 ftesa te punëkryesit me reputacion, të njohur tashmë për këto punë anembanë Europës dhe më larg. Kohë të gjatë u pritën ofertat e tyre, dhe inxhinierët e KEK-ut shpresuan se më në fund do të vendosej se kujt do t’i besohet remonti kapital në turbinë dhe kujt në kalldajën e bllokut A5.
Mirëpo, siç kishte deklaruar kohë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, disa kompani i kanë dorëzuar ofertat, por sipas tij “janë të papërgjegjshme dhe joserioze”.
“Ka 2-3 muaj që po kemi telashe me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5-shin. Nuk ka. Tash kanë ardhë disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme”, kishte deklaruar Bislimi.
Ndërkohë, subjektet politike opozitare kanë akuzuar KEK-un dhe Qeverinë aktuale për prolongimin e nisjes së punëve të remonit kapital në njësinë A5 të termocentraleve “Kosova A”. LDK-ja madje përmes komunikatave të shpërndara për medie, i kërkonte prokurorisë të nisë hetimet, siç thuhet në komunikatë, “mbi procesin e vonuar tenderues; dhe ndërhyrjet eventuale në terma të referencës – që përfundimisht kanë shkaktuar vonesat e riparimit me kohë”. Sidoqoftë, tashmë kur kanë nisur këto punë të remontit të shumpritur të këtij blloku, duhet shpresuar që brenda tre muajsh, A5-shi do të rinisë prodhimin dhe Kosova do të ketë plusë 150 megavatë energji elektrike.
Sipas inxhinierëve të KEK-ut, që i njohin mirë edhe punët teknike dhe funksionimin në detaje të stabilimenteve komplekse të Korporatës Energjetike të Kosovës, rifreskimi i bllokut A5 në nivelin e remontit kapital do të rrisë funksionimin e mirë dhe pa teleashe të tij për 4 vjetë të mira e më shumë. Dhe ky fakt do të thotë se në rrethana normale dhe pa ndonjë defekt teknik të papritur, Kosova për kaq vite do të ketë 150 megavatë plus nga impiantet vendore. /Buletini Ekonomik/