Pa pasaporta deri në fund të janarit

Qytetarët kosovarë janë përballur me probleme të shumta në muajt e fundit në planet e tyre për udhëtim, për shkak se Agjencia për Regjistrim Civil nuk ka lëshuar pasaporta, përveç për raste urgjente. Arsyeja për këtë, sipas institucioneve, është mungesa e materialit me të cilin prodhohen pasaportat, e furnizimi me të cilin pritet që të bëhet në fund të janarit.

Pasi i kishte ardhur mundësia të marrë pjesë në një seminar pune në Gjermani, Festina Mustafa-Prebreza, arkitekte nga Prishtina, nisi procedurat për t’u pajisur me vizë në nëntor të vitit 2022.

Telashe në këtë procedurë, asaj i paraqiti mungesa e pasaportës që i duhej ta merrte të re pasi ndërroi mbiemrin pas martesës.

Reklama e sponzorizuar

“Më kanë thënë që nuk mund të aplikosh në Ambasadë për vizë me pasaportën e vjetër edhe pse është valide, për shkak të mbiemrit”, tregon Mustafa-Prebreza.

Ajo aplikoi menjëherë për t’u pajisur me pasaportë në qendrën ku qytetarët pajisen me këto dokumente në kuadër të Agjencisë së Regjistrimit Civil në Prishtinë.

Por, në këtë qendër i thanë që pasaporta nuk mund të bëhet deri në janar të vitit 2023 për shkak të mungesës së materialit me të cilin prodhohen këto dokumente.

Mustafa-Prebreza thotë se tentoi që të aplikojë për të marrë pasaportën me procedurë të shpejtë, shërbim ky që kushton 80 euro, por kjo vlente vetëm për persona që kanë nevojë për udhëtim për raste urgjente.

E gjendur në këtë situatë ajo e anuloi terminin për vizë. Në Kosovë, deri në sigurimin e terminit për aplikim për vizë, ne shumicën e ambasadave të vendeve evropiane mund të pritet deri në disa muaj. Mustafa-Prebreza pret pasaportën që të aplikojë për vizë sërish në shkurt. Kësaj here, thotë se planifikon të udhëtojë vetëm si turiste.

Kosova po përballet me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve që nga muaji tetor i vitit të kaluar.

Së fundmi telashet më të mëdha kanë qenë me prodhimin e pasaportave, ndërsa muaj më parë, telashe pati edhe me prodhimin e letërnjoftimeve.

Ndonëse nga ministria thonë se nuk ka probleme me lëshimin e lejes për patentë-shofer, disa qytetarë me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë, kanë pohuar se kanë muaj që po presin për t’i marrë këto dokumente.

Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka thënë se kompania e kontraktuar nga Qeveria për furnizim me materialin, me të cilin prodhohen pasaportat, nuk ka arritur ta sigurojë këtë material.

“Si shumë shtete të tjera, edhe ne po përballemi me vështirësi të furnizimit me materiale, vështirësi këto që i ka shkaktuar kriza globale si dhe pandemia me COVID-19”, ka thënë Fetoshi për Radion Evropa e Lirë

Më 10 janar, MPB-ja ka bërë të ditur se deri në fund të këtij muaji pritet të rikthehet furnizimi me material për prodhimin e pasaportave.

Në këtë njoftim, Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje”.

Kompania e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, është një kompani gjermane e quajtur “Veridos”.

As Ministria e Punëve të Brendshme, por as kjo kompani nuk u janë përgjigjur ende pyetjeve të REL-it për detajet e kontratës për këtë furnizim.

Më 7 janar, mediat lokale kanë raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka dërguar letër zyrtare shtetit të Gjermanisë me lutje që të lejojë udhëtimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara deri në zgjidhjen e situatës.

Ministria nuk u është përgjigjur pyetjeve REL-it lidhur me atë se a është bërë kjo kërkesë dhe a ka përgjigje nga shteti gjerman.

Telashet me lëshimin e pasaportave kosovare e prekën madje edhe një shtetase të Maqedonisë së Veriut.

Iznure Jashari-Jakupi, e cila është e martuar në Prishtinë thotë se pati telashe të vizitojë familjen e saj në Maqedoni, pasi djalit të saj trevjeçar i skadoi pasaporta në shtator të vitit të kaluar.

Qytetarët mbi 18 vjeç në Kosovë mund të shkojnë në Maqedoninë e Veriut vetëm me letërnjoftim, por për të miturit që nuk kanë ende letërnjoftim, duhet pasaporta.

Meqenëse kishte nevojë të kujdesej për nënën e sëmurë në Maqedoni të Veriut, ajo thotë se u detyrua ta linte djalin dhe dy fëmijët e tjerë të mitur në Kosovë me bashkëshortin e saj.

“Gjendje kritike, nuk pata zgjidhje tjetër”, thotë Jashari-Jakupi duke shtuar se burri i saj ishte dashur të ndërpresë punën e tij në mishtore për tri ditë në mënyrë që të kujdesej për fëmijët.

Ajo ende po pret që djali të pajiset me pasaportë.

Ndërkohë Urim Xhemaliaj, një qytetar nga Suhareka, rreth 60 kilometra larg Prishtinës, tregoi për REL-in se motra e tij, Vjollca Dullaj, nuk arriti të vijë nga Gjermania në kohën e festave të fundvitit, kur edhe kishte pushim nga puna, shkaku i vonesës në vazhdimin e pasaportës.

“Ambasada e Kosovës në Gjermani i ka thënë që nuk ka material. Ajo e ka humbur pushimin. Tash e tre muaj i thonë nuk ka material”, thotë ai.

E me shpresë se do të shkojë të punojë si shofer autobusi në Gjermani, Durim Gashi nga Rahoveci, po pret tash e tre muaj që të marrë patentë-shoferin.

“Ka mundësi të më nxjerrë shumë probleme sepse jam munduar gjatë për këtë patent-shofer dhe në fund nuk ka material”, thotë ai.

Ai tregoi që po shpreson që të sigurojë patentë-shoferin para se të arrijë koha e terminit për vizë në fund të janarit.

KMDLNJ: Qytetarëve iu shkel e drejta e lëvizjes

Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo situatë me mungesë të pajisjes me pasaporta mund të konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut, përkatësisht shkelje e së drejtës për lëvizje të lirë.

“Mund të ketë një arsyetim për kohë afatshkurtër, mirëpo një kohë kaq të gjatë të mos ketë pasaporta, kjo nuk ka asnjë kuptim. Mendoj që dikush duhet të japë përgjegjësi”, thotë Shala.

Ndërkohë, situatën në Kosovë e kanë kritikuar edhe partitë opozitare në vend.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në një postim në Facebook më 9 janar ka thënë se Qeveria “duhet që urgjentisht këtë problematikë ta shndërrojë në prioritet”.

“Asnjë arsyetim nuk i shfajëson qeveritarët e paaftë për të qeverisur në lidhje me mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave. Janë bërë muaj të tërë dhe kjo tufë inkompetente nuk është në gjendje ta zgjidhë një problem të thjeshtë furnizimi”, kishte thënë ai.

Në anën tjetër, në një konferencë për media, kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, e quajti problemin me pasaporta, paaftësi të Qeverisë.

“Liria e udhëtimit është e drejtë bazike dhe nuk është luks…Për këto pasaporta të reja qytetarët nuk mund të udhëtojnë për çështje familjare, as biznesore, as studentët nuk mund të udhëtojnë. Mungesa e pasaportave i ka dëmtuar edhe qytetarët tanë që jetojnë jashtë, atyre po iu rrezikohet puna e qëndrimit në vendet ku po jetojnë”, tha ai.

Radio Evropa e Lirë merr vesh që shtetet e rajonit nuk janë përballur me probleme të tilla së fundmi.

Duke qenë vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ka regjim të vizave për udhëtim në Evropë, kosovarët pritet të udhëtojnë pa viza më së largu në janar të vitit 2024./REL/