Projektligji i cili mundëson tërheqjen e një pjese të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti) sot do të jetë në shqyrtim në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Mirëpo, para se ky projektligj të futet në shqyrtim Telegrafi ka marrë disa nga qëndrimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV) nëse do ta votojnë apo jo.
Deputetja e LVV, Mirlinda Tishuku Sadiku në pyetjen e Telegrafit se a do ta votojë këtë projektligj kategorisht tha që nuk do ta votojë.
Ndërkaq, Telegrafi po ashtu e ka pyetur se sa e ka rrogën dhe se a e din se çka është inflacioni, ajo tha:“Jo, jo. Çka ka lidhje ajo me trust. Qysh çka është inflacioni. E kemi pakon ekonomike. Besoj që i ka prekur 800 mijë qytetarë”.
Ndërsa, deputeti Arbër Rexhaj ka thënë se qëndrimi i Grupit Parlamentar të LVV-së është që të mos votohet trusti për arsye që i dedikohet pleqërisë.
“Meqenëse një pjesë të trustit padrejtësisht e kanë marr dhe është votuar të themi në të kaluarën. Ne dëshirojmë që të kemi trust dhe ta ruajmë atë, sepse më pastaj na duhen vite të tëra të rimblidhjet”, ka thënë Rexhaj.
Por sa është ky qëndrim i LVV-së i drejtë, ai u shpreh: “Mendoj që është i drejtë, se normalisht unë kam pasur kërkesa të tillë. Nga masa qytetarët në përgjithësi”.
Ndërsa, deputetja Adriana Matoshi për Telegrafin ka thënë se nuk e ka idenë se cilat janë pikat e rendit të ditës, pasi siç tha ajo sot është kthyer nga xhirimet në Greqi.
“Ta kqyri çka ka njëherë në pikat e rendit të ditës, se sot kam ardh nga Greqi. Isha për xhirime”, ka thënë Matoshi.
E, deputeti Adnan Rrustemi i pyetur se a do të votojë trustin nuk dha asnjë përgjigje, njëjtë veproi edhe deputetja Fatmire Kollçaku.
Ndërsa, deputeti i LVV-së Visar Korenica tha se do ta votojë këtë projektligj.
Telegrafi po ashtu intervistoi edhe deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili kishte në krah peticionet e qytetarëve pro tërheqjes së një pjese të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), Bekim Haxhiu.
Ai tha se ka fol me shumicën e deputetëve dhe i mbetet atyre për ta dhënë konfirmimin me votë nëse do ta votojnë apo jo.
“Kam fol me shumicën e deputetëve, këto që po i shini janë kopjet e nënshkrimeve të deputetëve, 21.398 qytetarë. Nëse vlen thënja që populli duhet të pyetet për cdo gjë, populli e ka dhënë verdiktin sa i përket projektligjit për Trustin. Dhe atë tash duhet ta konfirmojnë deputetët”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/