Papunësia në Eurozonë arriti një nivel rekord të ulët në muajin nëntor 2022, duke shtuar kështu presionet ndaj Bankës Qendrore Evropiane për të vazhduar me rritjen e normave të interesit.
Gjatë kësaj periudhe, kishte 10.8 milionë njerëz të papunë në Eurozonë apo 2 mijë persona më pak se në muajin e kaluar. Kjo është shifra më e ulët e papunësisë që nga fillimi i regjistrimeve të këtyre shifrave në 1998
Sipas statistikave të Eurostatit, shkalla e papunësisë mbeti e pandryshuar nga muaji tetor, në shifrën 6.5 për qind, më e ulëta që nga fillimi i regjistrimeve të saj në vitin 1995.
Tregu i punës në Eurozonë po demonstron qëndrueshmëri përballë rënies ekonomike që pritet të rezultojë nga çmimet e larta të energjisë. Shumica e ekonomistëve presin që Eurozona të ketë pasur një recesion të shkurtër në fund të vitit të kaluar.
Tregu i kontraktuar i punës mbështet pikëpamjen se Banka Qendrore Evropiane do të detyrohet të vazhdojë me rritjen e normave të interesit, teksa përpiqet të përballojë inflacionin e lartë.
Tregjet parashikojnë një rritje prej 50 pikësh bazë të normave të interesit në mbledhjen e BQE-së më 2 shkurt. Nëse kjo ndodh, ajo do të aplikohet mbi rritjet aktuale të normës së interesit prej 2.5 pikë përqindje në total, të cilat kanë filluar që nga qershori i vitit të kaluar. Përpara këtij momenti, normat e interesit në eurozonë ishin negative, por rritjet e tyre bënë që norma bazë e depozitave të arrijë 2 për qind në muajin dhjetor.
Ndërmjet periudhës tetor-nëntor, shkalla e papunësisë pësoi rënie në Itali, Francë dhe Spanjë me 0.1 pikë përqindjeje, duke shkuar në 7.8 për qind, 7 për qind dhe 12.4 për qind respektivisht. Ajo mbeti në nivelin e ulët prej 3 për qind në Gjermani.