Sindikata e Sektorit Privat kërkon nga deputetët që ta votojnë Trustin

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë iniciativën qytetare për ndarjen e 30 përqind të mjeteve pensionale nga Trusti.

Ai përmes një njoftimi në facebook, ka publikuar edhe kërkesën e plotë që Sindikata e Sektorit Privat ua ka adresuar deputetëve.

Në këtë kërkesë thuhet se duke u nisur nga gjendja e rënduar sociale dhe ekonomike e qytetarëve, inflacioni i lartë, kreditë e pashlyera dhe pagat e ulëta, u bëhet apel deputetëve si nga opozita ashtu edhe nga pozita që të votojnë këtë nismë për ndarjen e 30% të kontributeve nga Trusti.

Reklama e sponzorizuar

Nga kjo Sindikatë, si arsye se pse duhet votuar ky Projektligj, ngritën çështjen e pagës së ulët minimale e cila nuk është rritur përkundër shumë premtimeve nga Qeveria, mungesës së marrëveshjes kolektive, mungesës së gjykatës së punës, si dhe mos ndarjen e shtesave për punëtorët e sektorit privat në kohën kur shteti ua ndau nga 50-100 euro punëtorëve të sektorit publik për përballje me inflacionin etj. /Buletini Ekonomik/