141 milionë njerëz në botë drejt varfërisë – Shkak rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë

Sipas një studimi të fundit rritja e çmimeve të energjisë, shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë, mund të shtyjë deri në 141 milionë njerëz të tjerë anembanë globit në varfëri ekstreme. 

Kostoja e energjisë për familjet në të gjithë globin mund të jetë rritur me 62.6% dhe 112.9% që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sipas një studimi modelimi nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh të botuar në “Nature Energy”.

Studimi modeloi ndikimin e çmimeve më të larta të energjisë në shpenzimet e 201 grupeve, që përfaqësojnë nivele të ndryshme shpenzimesh, në 116 vende, që mbulojnë 87.4% të popullsisë globale. Pavarësisht përpjekjeve të qeverive për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve, studiuesit vlerësuan se shpenzimet e përgjithshme të familjeve u rritën nga 2.7% në 4.8%. Si rezultat, ata vlerësojnë se 78-141 milionë njerëz të tjerë në mbarë botën mund të shkojnë drejt varfërisë ekstreme.

Reklama e sponzorizuar

Një nga autorët e raportit, Yuli Shan, profesoreshë në Universitetin e Birminghamit, tha se çmimet e larta të energjisë godasin financat e familjeve në dy mënyra: rritja e çmimit të karburantit rrit drejtpërdrejt faturat e energjisë së familjes, ndërsa inputet e energjisë së nevojshme për të prodhuar mallra dhe shërbime rrisin çmimet edhe për ato produkte, dhe veçanërisht për ushqimin, që ndikon në mënyrë indirekte familjet.

Shan shtoi se kjoo krizë e paprecedentë energjetike globale na kujton se një sistem energjetik i varur shumë nga lëndët djegëse fosile përjetëson rreziqet e sigurisë së energjisë, si dhe përshpejton ndryshimet klimatike. Faturat e gazit dhe të energjisë elektrike për familjet u rritën ndjeshëm vitin e kaluar, ndërsa çmimet e benzinës dhe naftës arritën në nivele rekord.

Një raport i përgatitur për Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar, bënte të qartë se rritja e çmimeve për energjinë dhe ushqimin mund të vazhdojë edhe për dy vitet e ardhshme. Kriza energjetike ka detyruar vendet që që të lëvizin më shpejt në ndërtimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, ndërkohë që qeveritë janë kthyer drejt lëndëve djegëse ndotëse si qymyri për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji. /Scan tv/