“Isha i pari në listën e britanikëve”, reagon kandidati që humbi garën përballë tezakes së Vjosa Osmanit

Venera Çerkini, vajza e tezes së presidentes Vjosa Osmani është zgjedhur Drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, institucion i cili udhëhiqet nga Ministri, Faton Peci. Ndaj përzgjedhjes së Çerkinit ka reaguar kundërkandidati i saj, Menderes Ibra, shkruan Insajderi.

Ibra përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka thënë se ndjet mirë për shkak se Ambasada e Britanisë së Madhe e kishte renditur si kandidatin më të kualifikuar, gjegjësisht e kishte renditur të parin në listë.

“Procesin e rekrutimit të nivelit të lartë drejtues e monitoron organizata e kontraktuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe, dhe në ranglistën e tyre unë isha i pari. Personalisht, dëshiroj që të falënderoj britanikët për vlerësimin, dhe kjo më bëri që të ndjehem shumë mirë. Në mbledhjen e fundit Qeveria aprovoi vendimin e Ministrit të Bujqësisë, ku drejtoreshë u emërua kandidatja që ishte e para në listën e komisionit shtetëror, dhe procesi u përmbyll këtu”, ka shkruar ai përcjell Insajderi.

Reklama e sponzorizuar

Këtë reagim, Ibra tha se e po bën për shkak të interesimi të lartë për ta kuptuar rastin.

Ai ka njoftuar se fillimisht, konkursi ishte anuluar në mungesë të kundër-kandidatëve e që vetëm në muajin gusht 2022, është rishpallur konkursi, ku edhe u përzgjodh drejtori i ri i AZHB-së.

Në gusht, konkursi u rishpall, dhe në listën e ngushtë u zgjodhëm 9 vetë. Pas testimit me shkrim dhe intervistës me gojë, në listën fituese nga komisioni shtetëror u zgjodhëm tre vetë, ku unë isha i dyti në listë“, ka shkruar ai mes tjerash.

Një muaj më parë, Qeveria Kurti dha “dritën jeshile” për emërimin e familjares së presidentes Osmani, Venera Çerkini në krye të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Çerkini kundërkandidat kishte Menderes Ibrën dhe Lebibe Halitin.