Në përputhje me Kornizën rregullatore për komunikimet elektronike, objektivat e Autoritetit të shpalosura në planin e punës, si dhe me qëllim të krijimit të kushteve për investime në teknologjitë e reja, bordi i ARKEP ka autorizuar përdorimin e sistemin 5G.
Bordi i Autoritetit në mbledhjen e 24-të, pas shqyrtimit të aplikacioneve të operatorëve Telekomi i Kosovës Sh.A. dhe IPKO Telecommunications LLC, përmes vendimeve përkatëse ka aprovuar: Dhënien e së drejtës për shfrytëzimin e resurseve frekuencore për operatorin Telekomin e Kosovës Sh.A. me kapacitetet si në vijim:
a) 2×10 MHz në kuadër të brezit frekuencor 800 MHz (811 – 821 & 852 – 862 MHz);
b) 1×100 MHz në kuadër të brezit frekuencor 3.6 GHz (3510 – 3610 GHz).
II. Dhënien e së drejtës për shfrytëzimin e resurseve frekuencore për operatorin IPKO Telecommunications LLC me kapacitetet si në vijim:
c) 2×10 MHz në kuadër të brezit frekuencor 800 MHz (791 – 801 & 832 – 842 MHz);
d) 1×100 MHz në kuadër të brezit frekuencor 3.6 GHz (3410 – 3510 GHz).
Këto resurse frekuencore janë caktuar në shfrytëzim sipas parimit të neutralitetit teknologjik dhe do jenë në dispozicion për shfrytëzim efektiv komercial për periudhën e ardhshme njëzet (20) vjeçare.
Po ashtu Bordi i Autoritetit në mbledhjen e 24-të, të mbajtur më datë 06 Shkurt 2023, ka miratuar dhënien e së drejtës për përdorimin e kapacitetit frekuencor prej 90 MHz (3710 – 3800 GHz) për Institutin NGN për rrjetin privat 5G në nivel lokal/rrjet i mbyllur jo komercial, i cili njëherit është autorizimi i parë në rajon për rrjeta të tilla. Shfrytëzimi i këtyre resurseve për rrjetat private 5G do t’u mundësoj ngritjen profesionale lidhur me zhvillimet e reja teknologjike.
Duke pasur parasysh faktin se kjo ngjarje përbën një hap shumë të rëndësishëm të zhvillimit të rrjetave të komunikimeve elektronike, më datë 15 Shkurt, 2023 në Zyrën e ARKEP-it, është bërë ceremonia e dorëzimit të Vendimeve/autorizimeve individuale për operatorët Telekomi i Kosovës Sh.A. dhe IPKO Telecommunications LLC si dhe Institutin NGN.
Me këtë rast Nazim Rahimi, Kryetar i Bordit të ARKEP, në prani të Anëtarëve të Bordit dhe zyrtarëve të lartë të ARKEP, u ka dorëzuar përfaqësuesve të subjekteve të lartpërmendura Vendimet/Autorizimet Individuale.
“ARKEP në funksion të përmbushjes së objektivave rregullatore do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për zhvillimin dhe shtrirjen e rrjetave të shpejtësisë së lartë, përfshirë teknologjinë 5G, të cilat jo vetëm që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ofrimin e shërbimeve më të mira dhe me kualitet të lartë për konsumatorët, por gjithashtu do të mbështesin zhvillimin e sektorëve tjerë”, thuhet në komunikatën e ARKEP-it. /RTKlive/