Ankandi i parë për një kapacitet të energjisë solare në Kosovë, që pritet të lansohet së shpejti, do të ketë fuqinë 100 MW.
Kramoviku i Komunës së Rahovecit është përzgjedhur si vend për organizimin e ankandit të parë për projekte të gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike. Lokacioni i përzgjedhur tashmë po përfshihet edhe në Planin Zhvillimor Lokal të komunës, si vend me potencial për vendosjen e gjeneratorëve fotovoltaikë.
“Këto ditë me mbështetjen e ekipit të Tetra Tech, është përzgjedhur toka publike në Kramovik të Komunës së Rahovecit, që do të përdoret për ankandin e parë fotovoltaik”, ka njoftuar Besiana Qorraj Berisha, zyrtare e lartë për burime të ripërtëritshme të energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, nëpërmjet një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale.
Për këtë projekt u fol më detajisht këto ditë gjatë diskutimit publik mbi planin zhvillimor komunal të komunës së Rahovecit për vitet 2022-2031.
Lokacioni tashmë do të përfshihet në planin zhvillimor të Komunës, në cilësinë e lokacionit me potencial të lartë në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese energjetike nga burimet solare.
Ankandi i parë për një kapacitet të energjisë solare në Kosovë, që pritet të lansohet së shpejti, do të ketë fuqinë 100 MW dhe pritet të ketë një kontribut domethënës në diversifikimin e miksit të energjisë në Kosovë dhe në tranzicionin e gjelbër.
Siç dihet, ministrja Artane Rizvanolli ka ripërsëritur së fundmi se qeveria mëton të sjellë procese konkurruese dhe transparente të ankandeve për zhvillim të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, në të cilat mund të aplikojnë investitorët e interesuar.
“Ne kemi thënë që nga dita e parë që investitorët do të konkurojnë në ankande, në mënyrë transparente. Çmimi më i lirë do të fitojë dhe ne do ta blejmë atë energji për konsumatorët tonë. Ankandin e parë do ta lansojmë sivjet në dhjetor për energji solare, ndërsa për energji të erës, ankandin do ta lansojmë vitin tjetër”, ka thënë Ministrja Rizvanolli.
Ministrja ka thënë se ankandi i parë për burime solare do të bëhet për 100 megavat orë kapacitete, ndërsa kapacitete të njejta pritet të ndahen edhe për burimet e erës./Buletini Ekonomik/