ATK me plan 14 pikësh kundër korrupsionit

Administrata Tatimore e Kosovës e ka hartuar një plan kundër korrupsionit në këtë institucion.

Sipas një komunikate për medie, ky plan është përmbledhje e objektivave që realizon ATK në luftimin e korrupsionit dhe përmban aktivitetet që synohen të realizohen gjatë vitit 2023.

“Rritja e llogaridhënies është faktori kyç që Administrata Tatimore e Kosovës është duke punuar vazhdueshëm në fuqizimin e saj. Në drejtim të kësaj ATK për herë të parë ka hartuar Planin Kundër Korrupsionit për Administratën Tatimore të Kosovës. Ky plan është përmbledhje e objektivave të rëndësishme që realizon ATK në luftimin e korrupsionit dhe përmban aktivitetet që synohen të realizohen gjatë vitit 2023. PKK përmbledhë katërmbëdhjetë pika, të cilat do të implementohen përmes tij”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Reklama e sponzorizuar

Sipas komunikatës së ATK-së, plani mbështetet në legjislacionin aktual dhe përfshinë objektivat e përgjithshme dhe objektivat specifike nga tri dokumentet strategjike të punës.

“Përmes këtij plani synohet rritja e bashkëpunimit me institucione kompetente për luftimin e korrupsionit, rritja e llogaridhënies, rritja e transparencës, zvogëlimi i diskrecionit të zyrtarëve të ATK. Po ashtu, plani parasheh edhe masa edukuese për parandalimin e sjelljeve të këqija, parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe OJQ që parandalojnë korrupsionin”, thuhet në njoftim.

ATK, si ndër më të rëndësishmet e dokumentit e ka cilësuar hetimin e punonjësve të këtij institucioni të cilët keqpërdorin pozitën zyrtare, e ku parashihet inicimi i rasteve për trajtim në organet kompetente.