Bajra: Fondi Sovran si entitet financiar, ndihmon në zhvillimin e vendit

Fondi Sovran i Kosovës, pritet të ketë një rol të shumë anshëm zhvillimor për vendin. Grupet punuese janë duke punuar në përmbylljen e shumë proceseve siç është Ligji për Fondin si edhe ristrukturimi i ndërmarrjeve publike. Ndërkohë, ekonomistët vlerësojnë se Kosova ka trashëguar probleme të shumta ndër vite.

Fondi Sovran i Kosovës, synon të menaxhojë me të gjitha asetet strategjike të vendit. Një nga pjesëmarrësit e grupit punues për përgatitjen e koncept- dokumentit për themelimin e Fondit Sovran, Emanuel Bajra, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, thotë se grupet punuese janë duke punuar intensivisht në përmbylljen e shumë proceseve, siç është Ligji për Fondin si edhe ristrukturimi i ndërmarrjeve publike.

“Fondi Sovran do të jete entitet financiar për të tashmen e zhvillimit të vendit por edhe për të ardhmen. Kosova nuk ka pasur eksperiencë të krijimit të institucioneve të tilla, prandaj lypset kohë dhe durim në mënyrë që ta përmbyllim këtë projekt kombëtar me sukses”, thuhet në përgjigjen e Bajra.

Reklama e sponzorizuar

Ai shtoi se përfitimet e Kosovës nga themelimi i Fondit, do të jenë të shumta: “E para, ndërmarrjet publike do të jenë më mirë të menaxhuara dhe transparente, por edhe Fondi do të përdoret për investime strategjike nga Qeveria e Kosovës për ekonominë e vendit.  E dyta, Kosova për herë të parë, do të jetë pjesëmarrëse në tregjet e kapitalit, bursave dhe financës globale. E treta, Kosova do t’i çojë sinjal të gjithë aktorëve të rëndësishëm ekonomikë global që ajo është e hapur për biznes dhe kjo në mënyrë asimetrike do ta ndihmojë vendin të tërheqë më shumë investime dhe kapital të huaj.

Nëse Fondi ruhet si entitet financiar, e jo politik, atëherë, ky institucion do ta ndihmojë vendin në perspektiven e afërt dhe të largët”, thuhet në përgjigjen  Bajra.

Por, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë për Radio Kosovën se Kosova ka trashëguar probleme të shumta dhe, nëse mendohet që të gjitha ato probleme të barten nën ombrellën e Fondit Sovran, kjo është shqetësuese.

“E them këtë se bazuar në faktin që planifikohet që në kuadër të Fondit Sovran të jenë shumë ndërmarrje publike, në mesin e tyre edhe Trepça dhe, vetë fakti që ekziston një prerje e borxheve të Kosovës ndaj Trepçës nga e kaluara, është rreziku më i madh, sepse, po t’i hyhet një procedure të tillë dhe të barten komplet obligimet e Trepçës në Fondin Sovran, atëherë Kosovës do t’i duhet një buxhet. Është koha kur duhet të ketë dialog të mirëfilltë, të mblidhen opinionet e ekspertëve dhe duhet të ketë një qasje më pro ekonomisë së tregut dhe integrimeve në të ardhmen. Duhet matur dhe të mos mendohet se vetëm Fondi Sovran duhet të jetë zgjidhje e problemeve të grumbulluara”, tha Gërxhaliu.

Ekspertët vlerësojnë që në këtë situatë, stabiliteti politik dhe sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jenë prioritet për zhvillim ekonomik të vendit.

“Ky Fond do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nën shfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rehabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti në takimin e fundit të Komisionit Ekzekutiv për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.