Më 8 shtator të vitit të kaluar 2022 e mori njoftimin se norma e interesit për asetin e financuar me Lizing do t`i ngritet.
Klientit kosovar që i ndodhi kjo e që dëshiron të mbetet anonim, Banka Raiffeisen ia dha një arsye, raporton “Front Online”.
“Ndyshimi vjen si pasojë e rritjes së normës së Euribor-it në tregun evropian”, thuhej në njoftimin që banka i kishte dërguar atij.
Ky klient ka bërë të ditur se deri në gusht të vitit të kaluar këstin mujor të kredisë e ka pasur 162.79 €, përderisa një muaj më pas (shtator) i njëjti i është ngritur në 191.70 €, apo rreth 20% më shumë. Tashmë, sipas tij, nuk dihet se sa do t’i rritet edhe më tej kësti.
Ai kërkon ndërhyrjen e BQK-së, si rregullator, në mënyrë që, siç thotë, mos të lejohen keqpërdorime të situatatave nga bankat komerciale në Kosovë.
“BQK-ja duhet të ndërhyjë se na rrjepën bankat”, shprehet ai për Front Online.
Në atë kohë është fakt që Banka Qendrore Evropiane, për herë të parë pas 11 vjetësh, vendosi t’i rrisë normat e interesit, në përpjekjeje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë.
Siç bënte të ditur ky institucion më 21 korrik 2022, aktualisht janë rritur normat kyçe të interesit për 0.5 për qind në 0.0 për qind.
Vendimi i Bankës Qendrore Evropiane rriti edhe të ashtuquajturën normë Euribor.
Euribor është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra.
Megjithatë pa kaluar pesë muaj mirë, klientit të njëjtë i erdhi prapë një mesazh nga Banka Raiffeisen në Kosovë.
Ky u njoftua të hënën e 6 shkurtit 2023 se norma e interesit për asetin e financuar me Lizing do t`i ngritet prapë, raporton “Front Online”.
Arsyeja mbeti ajo e vjetra.
“Ndyshimi vjen si pasojë e rritjes së normës së Euribor-it në tregun evropian”, thuhej në njoftimin e dytë brenda pak muajsh që banka i kishte dërguar atij.
Front Online ka pyetur Bankën Qendore të Kosovës nëse ka gjetur ndonjë parregullsi lidhur me ngritjen e normave të interesit dhe arsyen se pse po ndodh kjo.
“Në rastet kur BQK-ja evidenton se një institucion financiar vepron në kundërshtim me aktivitetin për të cilin është licencuar nga ana e BQK-së, ndërmerren veprime dhe masa administrative, konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për “Front Online”.
Pyetjeve nuk i janë përgjigjur të hënën nga Banka Raiffeisen në Kosovë, raporton “Front Online”.
Megjithatë para pak ditësh Banka Qendrore Evropiane rriti normën bazë të interesit për të katërtën herë që nga korriku i kaluar, në 2.5 për qind.
Herën e fundit që Euribori gjashtëmujor ishte mbi tre për qind, ishte në fund të dhjetorit 2008, kur bota ishte në mes të një krize financiare globale.