Drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Agron Demi, ka vlerësuar se nuk ka asnjë pozitë të punës në sektorin publik e privat që meriton pagë më të ulët se të deputetit.
Sipas tij, ata marrin 1722 euro për t’i dështuar seancat.
“Nuk ka pozitë në sektorin publik e privat në Kosovë që e meriton rrogën më pak se deputeti/ja e Kuvendit të Kosovës. Deputetët marrin minimum 1.722 euro për me i dështu seancat parlamentare, me i zvarritë ligjet, me u sha e me fol palidhje. Edhe si deputet nuk ju vyn bash hiç asnjë shkathtësi a përgatitje. Në krahasim me angazhimin dhe pagën që e marrin deputetët, pagat e punonjësve tjerë në sektorin publik janë dhimbshëm shumë të ulëta”, ka shkruar Demi në Facebook.
Reagimi i Demit vjen pasi që të mërkurën Qeveria e Kosovës ka miratuar vlerën e koeficientit të pagave në lartësinë 105 euro.
Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar këtë vlerë dhe në shenjë revolte e kanë lëshuar sallën e Kuvendit ku ishte paraparë që të mbahej seanca plenare.
Pas largimit të deputetëve të opozitës, si pasojë e mungesës së kuorumit seanca është ndërprerë.