Deri në fund të majit, Kosova do të dorëzojë planin kombëtar për energji dhe klimë në Komunitetin e Energjisë

Në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë është mbajtur takim i parë i Grupit Punues për hartimin e Planit kombëtar për Energji dhe Klimë 2025-2030, takim ky i kryesuar nga Adnan Preniqi – zv. Udhëheqës i Divizionit të Politikave të Energjisë.

Në këtë Grup Punues janë përfshirë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra për Planifikim Strategjik dhe Zyra për Integrim Evropian nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë, Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ZRRE, KOSTT, KEDS, KEK, Universiteti i Prishtinës, Oda Ekonomike e Kosovës, Shoqëria civile etj.

Gjatë këtij takimi u prezantuan përgatitjet e deritanishme, afatet e përgatitjes së dokumentit si dhe u prezantuan rezultatet analitike të modelimit të përgatitura nga konsulenca e angazhuar – German Economic Team, e financuar nga Qeveria gjermane, raporton Kosovo.Energy.

Reklama e sponzorizuar

Për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë 2025-2030, Grupi Punues do të mbështetet nga GIZ.

Drafti i parë i këtij dokumenti parashihet të përfundoj deri më 30 maj 2023, i cili më pas do të dërgohet për komente në Komunitetin e Energjisë.